Bisedime SHBA-Kinë mes tensioneve në rritje në rajonin e Indo-Paqësorit

U.S. National Security Adviser Jake Sullivan visits China

Diplomatët dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe ata kinezë po zhvillojnë bisedime përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet në Detin e Kinës Jugore dhe rreth Tajvanit vazhdojnë të rriten. Një komandant i lartë kinez do të vizitojë komandën amerikane të Indo-Paqësorit në Havai javën e ardhshme, ndërsa zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes mbërritën në Kinë.

Your browser doesn’t support HTML5

Bisedime SHBA-Kinë mes tensioneve në rritje në rajonin e Indo-Paqësorit


Në Tajvan, stërvitjet me raketa reale janë një mënyrë se si ishulli i pavarur përgjigjet ndaj inkursioneve të shpeshta të forcave kineze në hapësirën ajrore dhe ujërat e tij.

Për të mbajtur nën kontroll tensionet, qofshin ato mes Pekinit dhe Tajvanit apo ato mes Pekinit dhe Manilës në Detin e Kinës Jugore, Shtetet e Bashkuara dhe Kina po shpeshtojnë kontaktet mes tyre.

Të dyja pikat e nxehta janë padyshim një shqetësim, që Sekretari i Shtetit Antony Blinken i nxorri në pah këtë javë gjatë Dialogut Strategjik SHBA-Britani.

“Ne diskutuam edhe mbi përpjekjet e përbashkëta për të siguruar paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe lirinë e lundrimit dhe fluturimit në Detin e Kinës Jugore. Për ne, ruajtja e paqes dhe stabilitetit, ruajtja e status-kuosë është thelbësore. Kjo është thelbësore për vendet në mbarë botën”, tha ai.

Në Uashington, Kongresi po shqyrton një numër projekt-ligjesh, që kanë në shënjestër Kinën përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Një projekt-ligj i miratuar së fundmi nga Dhoma e Përfaqësuesve kërkon të frenojë një sulm të mundshëm kinez apo bllokadë të Tajvanit përmes sanksioneve ekonomike ndaj udhëheqjes së lartë të Kinës.

“Problemi qëndron tek qeveria kineze, jo populli i Kinës. Akti i Frenimit të Konfliktit në Tajvan e merr parasysh këtë, duke nxitur publikimin e pasurive të siguruara përmes korruspsionit nga udhëheqja më e lartë e Republikës Popullore të Kinës. Projektligji do të detyronte zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze të përballen me zemërimin e popullit të tyre”, thotë ligjvënësja republikane Young Kim, e cila është kryetare e Nënkomisionit të Indo-Paqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në Pekin, zyrtarët kinezë kanë kritikuar Dhomën e Përfaqësuesve për shqyrtimin e projekt-ligjeve të ashpra lidhur me Kinën këtë javë, duke u zotuar të përgjigjen me kundërmasa të forta nëse ato miratohen.

Pavarësisht këtyre tensioneve, të dy vendet po punojnë për të stabilizuar situatën. Analistët thonë se mbajtja e kanaleve të hapura të komunikimit ushtarak është thelbësore për shmangien e gabimeve.

“Zhvillimi i këtyre bisedave eliminon hamendjen nga analiza mbi arsyet e veprimeve të kinezëve dhe parashikimin e veprimeve të tyre të ardhshme. Kjo zvogëlon hapësirën për llogaritje të gabuara apo keqkuptime rreth qëllimeve të veprimeve të secilës palë”, thotë eksperti Ryan Hass nga Instituti Brookings.

Në vizitën e tij në Kinë në fund të muajit të kaluar, këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, konfirmoi se presidenti amerikan Joe Biden do të flasë me udhëheqësin kinez Xi Jinping në javët e ardhshme.