Një gjykatë në Mitrovicën e Veriut u shqiptoi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh katër pjesëtarëve të komunitetit serbë të arrestuar dy ditë më parë në veri të Kosovës, që çoi në protesta dhe reagime të politikanëve lokalë serbë dhe të zyrtarëve të Beogradi
“Jemi të kënaqur që kemi vërtetuar se caktimi i masës së paraburgimit do të ishte një reagim i tepruar ndaj një ngjarjeje të parëndësishme dhe të pafajshme, ku fatkeqësisht mund të fajësohen të dyja palët, por nëse vetëm njëra palë pëson prej saj, nuk do të ishte e drejtë. Meqenëse gjykata refuzoi propozimin e prokurorit për paraburgimin e të arrestuarve ata do të lirohen do të dërgohen në arrest shtëpie”, tha avokati NebojshaVlajiç.
Gjatë gjithë ditës grupe qytetarësh serbë protestuan para stacionit të policisë në Mitrovicën e Veriut në shenjë pakënaqësie, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Të katër personat u arrestuan pasi që sipas autoriteteve ofenduan e më pas sulmuan dy zyrtarë policorë. Policia tha se tre nga të arrestuarit ishin nën ndikimin e alkoolit.
Arrestimi nxiti reagimin e autoriteteve serbe që akuzuan policinë e Kosovës për represion në veriun e banuar me shumicë serbe.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç paralajmëroi se brenda pak ditësh do të dalë me kërkesat e Serbisë kundruall gjendjes në veri të Kosovës, duke akuzuar qeverinë në Prishtinë për përndjekje të popullsisë serbe.
Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.
Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serb në veri ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se me mbylljen e institucioneve të Serbisë në veri është vështirësuar jeta e serbëve të cilët sipas tij nuk mund të kryejnë asnjë shërbim.
Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione ndërsa i dërguari evropian Miroslav Lajçak, i cili qëndroi këto ditë në Prishtinë dhe Beograd është vënë në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet.