Zhvillohet në Tiranë Takimi i organizatës “Gratë për Afganistanin”

Takimi në Tiranë i organizatës "Gratë për Afganistanin"

Veprimtaret e të drejtave të njeriut për gratë dhe vajzat afgane po zhvillojnë në Tiranë një takim 3 ditor mbi gjendjen e vështirë, që ato po kalojnë nën regjimin taleban.

Organizata “Gratë për Afganistanin” synon që gjatë këtij takimi të krijojë një platformë dialogu mbi të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të drejta që po shkelen sistematikisht me vendime shtetërore.

Gjatë Takimit të organizatës “Gratë për Afganistanin” folësit theksuan se nën regjimin taleban Afganistani është i vetmi vend në botë ku vajzave dhe grave u ndalohet e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm dhe të lartë.

“Situata atje po keqësohet në mënyrë të përditshme, ndaj ndaj nevojitet një platformë mbështetëse për më shumë solidaritet dhe burime mbrojtjëse për vajzat, gratë dhe fëmijët e tyre atje”, tha Presidentja e organizatës “Gratë për Afganistanin” Fauzia Koofi.

Ajo shtoi se mesazhet e këtij takimi janë për Afganistanin dhe drejtuar Afganistanit, dhe se gratë e Afganistanit nuk do të sakrifikohen, sepse të drejtat e tyre do të mbrohen nga komitetet e shoqeve të tyre, ndërsa nevojitet një strategji dhe një program, që talebanët të japin llogari dhe gratë afgane të kenë mundësi dhe të mbështeten që të mbajnë familjet e tyre.

“Vajzat dhe gratë afgane po vuajnë brenda dhe jashtë Afganistanit. Ato kanë 3 vjet që nuk shkojnë nëpër shkolla, dhe nuk shkojnë të punojnë nëpër zyra administrate. Por ato nuk do të mbeten vetëm”, tha zonja Koofi.

Mjedisi represiv ndaj grave dhe vajzave në Afganistan është është rënduar vitet e fundit me masat për kufizimet e tyre në mjediset publike, mundësitë e punësimit, deri tek të drejtat riprodhuese, kujdesin shëndetësor.

Rina Amiri, e Dërguara e Posaçme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gratë dhe vajzat afgane dhe të drejtat e njeriut, tha se Shqipëria mbron me besnikëri njerëzit në nevojë që kanë humbur familjen, banesën dhe të drejtat e tyre.

“Tre vitet e fundit bota ka parë se si gratë afgane janë goditur me ashpërsi të madhe dhe të drejtat e tyre janë shkelur rëndë. Ideologjia talebane nuk është një ideologji afgane. Persekutimi gjinor që po ushtrojnë talebanët është shumëpërmasor dhe prek shumë breza, ndaj kjo dhunë duhet frenuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk duhet ta pranojë atë gjoja si një kulturë afgane, as mendësinë që gjithçka që ndodh në Afganistan duhet të mbetet në Afganistan, port ë drejtat e njeriut duhen mbrojtur atje sipas standarteve ndërkombëtare, tha zonja Amiri.

Shqipëria e mirëpriti këtë takim të “Grave për Afganistanin” me shqetësimin se brenda tre vjetëve në pushtet regjimi taleban po shpërbën gjithë arritjet në shumë dekada mbi të drejtat e grave dhe vajzave atje përmes 70 dekrete dhe udhëzime, që godasin drejtpërdrejt të drejtat themelore dhe jetën e përditshme të grave dhe vajzave atje, të cilat diskriminohen sistematikisht mbi kritere gjinore dhe të drejta të njeriut, duke u përpjekur të shpërbarjë të drejtat, nderin dhe dinjitetin e tyre.

Vendi ynë ka qenë i zëshëm në vlerësimin e guximit, qëndrueshmërisë dhe forcës së grave afgane, të cilat vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre themelore dhe me guxim denoncojnë brutalitetin e regjimit. Strehimi i Afganëve në arrati nga tmerri i rikthimit të talebanëve në pushtet nuk përbën vetëm një betim të thellë nderi, të lidhur me traditën unike të mikpritjes së Shqipërisë, por ai dëshmon qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të siguruar çdo afgan që hyn në territorin tonë, veçanërisht gratë dhe vajzat, me të gjitha mjetet bazë të nevojshme për të gëzuar dinjitet njerëzor dhe siguri të plotë në Shqipëri”, tha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Në Takim u theksua se bashkësia ndërkombëtare ka shumë punë për të lehtësuar jetën dhe sigurimin e të drejtave njerëzore të grave dhe vajzave afgane, duke zgjeruar dhe forcuar mbështetjen për respektimin e të drejtave themelore.

Shqipëria ka qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në Ballkan përmes disa misioneve ku ka marrë pjesë, strehoi një numër të konsiderueshëm afganësh, që u larguan nga luftimet, si dhe aktualisht mbështet përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Afganistan.