Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti tha se moratoriumi mbi çështjet etnike i propozuar nga numri një i qeverisë, ka për qëllim vënien në plan të parë të çështjeve që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e shtetit ligjor. Ai shtoi se janë çështje si standardi i ulët i jetesës apo korrupsioni, ato që detyrojnë të rinjtë të largohen. Ndaj dhe qeveria sipas tij, po bën përpjekje për të krijuar një perspektivë të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Zoti Mexhiti i cili mban në qeverinë e Kryeministrit Hristijan Mickoski edhe postin Ministrit të Mjedisit, ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në Konferencën e 9-të vjetore mbi Sigurinë Energjetike në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Mexhiti, po e nis nga një çështje që duket se ka ngjallur mjaft debate në vendin tuaj. Është paralajmërimi për shqyrtimin e ligjit të gjuhëve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, gjë që më gjasë do të nisë në muajin tetor. Cilat do të ishin pasojat në qëndrueshmërinë politike dhe në marrëdhëniet ndëretnike nëse gjykata do të vendoste që të reduktonte përdorimin e gjuhës shqipe në vendin tuaj?
Izet Mexhiti: Para se të elaboroj se si do të veprojmë ne si qeveri, dua ta njoftoj opinionin nëpërmjet Zërit të Amerikës që ky problem nuk është prej tash. Pra, ka të bëjë me ligjin për gjuhët, i cili ka mundësuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, por nuk është plotësisht zyrtare gjuha shqipe, siç është serbishtja në Kosovë. Mirëpo edhe ashtu siç është, qeveria LSDM-BDI pasi e ka sjell ligjin, jo paraprakisht pra, ka dërguar në Komisionin e Venecias, që në parim është dashur ta dërgojë para se të sillet ligji, të marrë sugjerimet nga ata dhe të sjellin një ligj që do të jetë konform normave ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Maqedonisë. Këtë, nën presion të opinionit, ministrja e drejtësisë e LSDM-së e ka dërguar pasi është sjellë ligji në parlament, është bërë valid, e ka dërguar për mendim te Komisioni i Venecias dhe atje do të thotë ka sugjerime që duhet të abrogohen dy-tre nene të ligjit. Pra, nuk flasim për ligjin në tërësi. Gjuha shqipe është dhe mbetet në përdorim zyrtar edhe po të sillet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në seanca gjyqësore, është i detyruar edhe gjykatësi maqedon ta përdorë gjuhën shqipe. Kjo ka të bëjë, për shembull, me banknotat, a do të jenë në dy gjuhë apo në një gjuhë dhe ka edhe një nen që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në uniformën e policisë, ushtrisë. Pra këto janë ato çështjet që i ngrit Komisioni i Venecias dhe qeveria e kaluar, meqë e ka dërguar tek ky Komision, është dashur t’i absolvon këto çështje në ligjin aktual. Nuk e kanë bërë këtë dhe mandej është ngrit edhe iniciativa para pesë viteve në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo meqë Gjykatën Kushtetuese, nga nëntë anëtarë, tetë anëtarë i kontrollon sërish koalicioni BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) dhe LSDM, ato pesë vite e kanë mbajtur në sirtar dhe tani e hedhin në opinion, për ta shfrytëzuar për pretekst, për destabilizim të vendit, për protesta e kështu me radhë. Mirëpo sido që të jetë, ne si qeveri kemi bërë apel për shkak se nuk mund të ndërhyjmë tek Gjykata Kushtetuese ta kenë parasysh që ky vendim nuk është vetëm juridik, por është edhe politik dhe mund të cënojë stabilitetin e vendit, mund të cenon shumë procese dhe të jenë të kujdesshëm gjatë sjelljes. Besoj që Gjykata Kushtetuese, edhe pse është me përbërje të kaluar, do jenë të arsyeshëm dhe nuk do të kontribuojnë prap për të dëmtuar proceset ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Zëri i Amerikës: Kryeministri Hristijan Mickovski ka bërë thirrje për një lloj moratoriumi ndaj çështjeve etnike të cilat krijojnë tensione në vend. Çfarë do të thotë kjo sipas jush? A nuk është një përpjekje për të heshtur zërat kritikë?
Izet Mexhiti: Jo. Nuk është moratorium i stilit të Gruevskit, i cili pati vendosur kusht Ahmetit nëse do të jetë pjesë e qeverisë, pra të ketë moratorium për çështjen shqiptare, me të cilin ka qeveris 11 vite. Kryeministri i tanishëm, së paku fillimisht, është i arsyeshëm dhe i kujdesshëm në këtë frymë. Pra, bashkarisht kemi shënuar marrëveshjen e Ohrit me mbledhje solemne të qeverisë së Republikës së Maqedonisë. E kemi shënuar edhe me aktivitete të tjera zyrtare, ku ka marrë pjesë aktive zoti Mickovski, që nuk ka marrë në të kaluarën Gruevski dhe nuk e ka përfillë marrëveshjen e Ohrit. Bashkarisht kemi shënuar edhe datën e Nënës Terezë. Në sheshin kryesor po punohet edhe përmendorja kryesore në sheshin kryesor të kryeqytetit Shkupit përmendorja në përmasa të mëdha e Nënë Terezës. Në këtë drejtim këtë e shoh më tepër që t’i spostojmë në plan të dytë çështjet etnike dhe të vëmë në plan të parë zhvillimin ekonomik, standardin jetësor, shtetin ligjor, decentralizimin, luftën kundër korrupsionit. Pra këto janë arsyet pse po ikin të rinjtë pa marrë parasysh a janë shqiptarë a maqedonas, apo të komuniteteve të tjera nga vendlindja dhe çdo ditë kam informacione që në Amerikë vijnë pesë të rinj, do të thotë 3 maqedonas dhe 2 shqiptarë. Edhe më keq është situata në vendet e Evropës. Pra ata po kërkojnë një perspektivë të re, një shtet ligjor, një luftë të ashpër kundër korrupsionit për të krijuar një jetë të qëndrueshme dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët në Maqedoni.
Zëri i Amerikës: Por, si mund të zgjidhen problemet ndëretnike kur nuk flitet mbi to apo kur nuk ofrohet një qasje të qartë...a ka qeveria një qasje të qartë për zgjidhjen e tyre nëse ka problematika që mund të ndezin tensione?
Izet Mexhiti: VLEN-i që është tani në qeveri është një gjeneratë e re e politikanëve, të cilët e lexojnë më ndryshe marrëveshjen e Ohrit dhe ka çështje që varen nga pala maqedonase dhe ka çështje që ne duhet t'i hapim brenda nesh. Ne kemi sot tre universitete në gjuhën shqipe që financohen nga shteti. Mirëpo, kualiteti është tejët i ulët dhe sipas statistikave 35% e nxënësve që e mbarojnë shkollën e mesme shkojnë në universitetin në gjuhën maqedonase për shkak të kualitetit. Shqiptarët në Maqedoni kanë evoluuar dhe nuk janë më të përkushtuar që të kenë vetëm kuantitet. Mendoj se është koha t'i hapim këto tema në mesin tonë, për cilësinë që duhet të ketë arsimi, shëndetësia, ekonomia pasi këto nuk varen më vetëm nga pala tjetër. Si fakt që kjo qeveri është e hapur edhe ndaj çështjes shqiptare, javën e kaluar është miratuar në mbledhje të qeverisë një vendim ku 35 milionë euro janë ndarë për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit Nëna Terezë në Shkup. Ne do të vazhdojmë punën, por qëllimi i asaj që desha të them ishte se ne duhet të hapim këtë debat brenda nesh për kualitetin e arsimit, për kualitetin e atyre që futën në administratë sepse nëse zgjidhet shqiptari më i mirë ai do të jetë edhe shërbyes më i mirë. Pra, të mos ketë vetëm punësime partiake dhe kuantitative.