Temat kryesore nga debati mes kandidatëve Harris dhe Trump

People sit behind a bar as they attend a watch party for the US Presidential debate between Vice President and Democratic presidential candidate Kamala Harris and former US President and Republican presidential candidate Donald Trump at American Eat Co. i

UASHINGTON – Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish Presidenti Donald Trump u përballën të martën mbrëma në Filadelfia në një debat, gati dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Gara mes dy kandidatëve është e ngushtë. Në mesin e votuesve të regjistruar, zonja Harris ka një epërsi prej 1 pike – 49 për qind me 48 përqind, sipas sondazhit të fundit të realizuar nga PBS/NPR/Marist. Ky rezultat bie brenda përqindjes së gabimit statistikor që parashikohet për sondazhet.

Debati në rrjetin televiziv ABC shënoi takimin e parë ballë për ballë ndërmjet 59 vjeçares Harris dhe 78 vjeçarit Trump.

Një ish prokurore, zonja Harris është gruaja e parë zezake dhe me prejardhje nga Azia jugore që shërben si nënpresidente amerikane. Zoti Trump, një biznesmen që është kritikuar për komente seksiste dhe raciste, është kandidati i parë i shpallur fajtor nga një gjykatë që kandidon për president dhe nëse zgjedhjet, në kohën e përfundimit të mandatit të tij do të jetë 82 vjet.

Gjatë debatit, i cili mund të jetë përballja e vetme e dy kandidatëve, zonja Harris dhe zoti Trump u përplasën për çështjet si ekonomia dhe imigracioni, demokracia, e drejta e abortit dhe lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Më poshtë sjellim disa nga temat kryesore të debatit.

Ekonomia

Ekonomia ishte tema e parë e debatit, për të cilën kandidatja demokrate Harris tha se dëshiron të krijojë një “ekonomi të mundësive”. Ajo iu referua planit të saj për të mundësuar uljen e taksave për sipërmarrësit që themelojnë biznese të vogla nga 5 mijë dollarë në 50 mijë dollarë.

“Jam e vetmja në këtë skenë që ka një plan për ta forcuar klasën e mesme”, tha ajo, duke shtuar se zoti Trump dëshiron të ndihmojë shtresën e të pasurve duke ulur taksat për ta.

Zoti Trump tha se ai do t’i ulë edhe më shumë taksat për korporatat, nga niveli aktual prej 21 për qind në 15 për qind. Zonja Harris tha se ajo dëshiron të rrisë këtë taksë në 28 për qind. Kjo taksë ishte 35 për qind para miratimit të një ligji nga zoti Trump në vitin 2017.

Zoti Trump e kaloi pjesën më të madhe të përgjigjes për çështjet e ekonomisë duke folur për imigrimin. Megjithatë, ai tha gjithashtu se kishte siguruar njërën prej periudhave më të mira për ekonominë në Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk dha detaje, dhe tha se sërish do ta bënte një gjë të tillë.

“Shikoni, kemi një gjendje ekonomike të tmerrshme për shkak të inflacionit, që njihet si faktor shkatërrimtar për shtetin”, tha zoti Trump.

Imigrimi

Imigracioni është njëra nga çështjet më të rëndësishme të kësaj fushate presidenciale. Gjatë debatit, zoti Trump kritikoi ashpër administratën e zotit Biden për mënyrën se si e kishte menaxhuar imigracionin – shpesh edhe atëhere kur moderatorët e debatit bënin pyetje që nuk ishin të lidhura me imigrimin.

Zoti Trump përsëriti pretendimet e rreme se imigrantët po “vërshojnë qytetet. Ata po marrin ndërtesat. Po e bëjnë këtë në mënyrë të dhunshme.” Ai po ashtu iu referuar konspiracioneve të pabaza se imigrantët nga Haiti po hanë qentë dhe macet në Ohajo.

Zonja Harris kritikoi zotin Trump për dështimin e përpjekjeve për të miratuar një ligj të përbashkët të dy partive në fillim të këtij viti, i cili parashikonte që kufiri jugor i Shteteve të Bashkuara të përforcohej me 1,500 agjentë kufitarë shtesë. Zonja Harris tha se ajo do të kishte përkahur ligjin e tillë.

Aborti

Zoti Trump dhe zonja Harris debatuan ashpër mbi çështjen e abortit.

Si president, zoti Trump ka emëruar tre anëtarë të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, të cilët siguruan shumicën e nevojshme konservatore për të përmbysur në vitin 2022 të drejtën kushtetuese për abort. Ky vendim u hapi rrugë shteteve të imponojnë rregulla për të kufizuar abortin në të gjithë vendin.

“Gjykata e Lartë tregoi guxim të madh që e mori këtë vendim”, tha zoti Trump gjatë debatit.

I pyetur nëse do të mbështeste një ndalim të abortit në nivel kombëtar, ai tha: “Jo, nuk jam në favor të ndalimit të abortit. Por nuk është me rëndësi sepse kjo çështje tashmë është në duart e shteteve.”

Ai tha se nuk do të kundërshtonte abortin në rast dhunimi, incesti apo atëherë kur rrezikohet jeta e nënës. Ai bëri një pretendim të rremë kur tha se demokratët përkrahin abortet “pas lindjes”.

Zonja Harris u përgjigj duke nënvizuar rëndësinë e të drejtave riprodhuese të grave.

“Askush nuk ka nevojë të braktisë fenë apo bindjet e veta të thella për të pranuar se qeveria dhe Donald Trump nuk duhet absolutisht t’u tregojnë grave se çfarë vendimi duhet të marrin për trupin e tyre”, tha ajo. Ajo shtoi se do të mbështeste Kongresin për të miratuar një ligj që do të përcaktonte parimet për të mbrojtur të drejtën e abortit dhe si presidente do ta nënshkruante një ligj të tillë.

Sundimi i ligjit, kërcënimet ndaj demokracisë dhe 6 janari

Zonja Harris ka qenë prokurore për dhjetëra vjet, fillimisht si prokurore distrikti në San Francisko dhe pastaj si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Një pjesë qendrore e fushatës së zonjës Harris është përqëndruar në portretizimin e zotit Trump si kërcënim për demokracinë.

Gjatë debatit, zonja Harris nënvizoi statusin e zotit Trump si një i shpallur fajtor. Zoti Trump u përgjigj me akuza të pabaza se administrata e Presidentit Biden dhe e saj kishin përdorur qeverinë si instrument për ta përndjekur atë.

I pyetur nga moderatori i debatit nëse zoti Trump do të pranonte se i kishte humbur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ai u përgjigj me pretendimin e rremë se ai në fakt i kishte fituar ato zgjedhje. Përsa i përket trazirave të 6 janarit, zoti Trump tha, “nuk kisha lidhje me to, përveç faktit që kërkuan nga unë të mbaja një fjalim.”

“Ka ardhur koha për të nisur një kapitull të ri”, tha zonja Harris.

“Në fushatën tonë ka hapësirë për t’i dalë zot vendit tonë, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund kaosit dhe qasjes që synon të godasë themelet e demokracisë tonë”, shtoi ajo.

Lufta Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Hamas

Krahas politikës së brendshme, moderatorët u bënë pyetje kandidatëve Harris dhe Trump edhe për çështjet e politikës së jashtme, përfshirë luftërat e tanishme ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe Izraelit e Hamasit.

Për luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, zonja Harris tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Izraelin. Ajo shtoi se përkrah një zgjidhje për krijimin e dy shteteve. Lufta “duhet të përfundojë menjëherë dhe mënyra për t’i dhënë fund asaj është me një marrëveshje armëpushimi dhe na duhet t’i lirojmë pengjet”, tha zonja Harris.

Zoti Trump tha se “Izraeli do të shpërbëhet” nëse zonja Harris zgjidhet presidente, pohim që nuk mbështetet në fakte. Zoti Trump gjithashtu përsëriti pretendimin e tij që masakra e 7 tetorit e Hamasit në pjesën jugore të Izraelit nuk do të kishte ndodhur sikur ai të ishte president.

Zoti Trump tha se lufta Rusi-Ukrainë nuk do të kishte ndodhur po të kishte qenë ai president. I pyetur nëse ai dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën kundër Rusisë, zoti Trump vetëm tha, “dua që lufta të ndalet”.

Zonja Harris u përgjigj: “Po të ishte Donald Trumpi president, në këto çaste Putini do të ishte i ulur në Kiev.”