Uashingtoni vendosi sanksione të reja ndaj Iranit për furnizimin e Rusisë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi për t’i përdorur në Ukrainë, njoftoi të martën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se sanksionet synojnë të kufizojnë më tej "aktivitetet destabilizuese të Iranit" dhe kanë në shënjestër individë dhe biznese me bazë në Iran dhe Rusi, duke përfshirë linjën ajrore të Iranit, “Iran Air”, për të cilën Shtetet e Bashkuara thanë se ishte e angazhuar në transferimin e armëve.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder konfirmoi se Irani ka transferuar dërgesa të raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi “Fath-360” në Rusi dhe se ato mund të përdoreshin kundër Ukrainës "brenda javësh". Para transferimit të raketave, personeli ushtarak rus ishte trajnuar në Iran për të përdorur këtë sistem, tha ai.
Zoti Ryder e quajti transferimin nga Irani të raketave me rreze të shkurtër veprimi, të cilat mund të godasin objektiva në një distancë prej 120 kilometrash, një "zhvillim shqetësues" që pasuron arsenalin ushtarak të Rusisë.
“Ka shumë të ngjarë që kjo marrëveshje për furnizimin e Rusisë me raketa nga Irani të mos përdoret vetëm një herë. Ky mund të jetë një burim furnizimi për Rusinë, që do të mund të përdoret edhe në të ardhmen”, shtoi ai.
Duke folur në Londër, Sekretari Blinken tha se bashkëpunimi në rritje midis Rusisë dhe Iranit "kërcënon sigurinë evropiane dhe tregon se si ndikimi destabilizues i Iranit shtrihet përtej Lindjes së Mesme".
"Nga ana e saj, Rusia po i jep Iranit teknologjinë për të cilën Teherani ka nevojë", tha Sekretari Blinken në konferencën për shtypin. "Kjo është një rrugë me dy drejtime, duke përfshirë çështjet bërthamore, si dhe shkëmbimin e disa informacioneve mbi teknologjinë hapësinore."
Sekretari i Shtetit Blinken shtoi se Presidenti rus Vladimir Putin tani po mbështetet gjithnjë e më shumë në ndihmën e Iranit dhe Koresë së Veriut për furnizimet me armë, një shkelje e qartë e rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas zotit Blinken, presidenti rus po merr ndihmë edhe nga Kina.
"Një nga arsyet e aftësisë së Putinit për të vazhduar këtë agresion është mbështetja nga Republika Popullore e Kinës, furnizuesi më i madh i veglave të makinerive dhe pajisjeve elektronike, që po ndihmojnë Rusinë të mbajë në funksion industrinë e saj të mbrojtjes", tha ai.
Pa identifikuar në mënyrë specifike raketat balistike, Moska konfirmoi të hënën se Rusia dhe Irani po bashkëpunojnë në fusha "më sekrete".
“Irani është partneri ynë i rëndësishëm”, u tha gazetarëve në një telefonatë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Ne po zhvillojmë bashkëpunimin dhe dialogun tonë në të gjitha fushat e mundshme, duke përfshirë edhe ato më sekrete”.
Gjatë vizitës së Sekretarit Blinken dhe Sekretarit të Jashtëm britanik David Lammy në Kiev këtë javë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka të ngjarë të këmbëngul që aleatët perëndimorë të lejojnë Kievin të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë, tha analisti Garret Martin, bashkëdrejtor i Qendrës së Politikave Transatlantike në Universitetin Amerikan në Uashington.
"Në përgjithësi, Britania e Madhe ka qenë më e drejtpërdrejt në mbështetjen për Ukrainën", tha ai për Zërin e Amerikës.
Duke folur për kanalin “Sky News” të martën përpara vizitës në Kiev, Sekretari Blinken tha se presidenti amerikan Joe Biden "nuk e përjashton" mundësinë e lejimit të Ukrainës që të përdorë raketat e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara për të goditur objektiva brenda Rusisë.
Ukraina ka pasur "atë që i duhej, kur i duhej, për të qenë efektive në zmbrapsjen e agresionit rus", tha Sekretari Blinken.
Kryeministri britanik Keir Starmer do të takohet me Presidentin Biden në Uashington të premten dhe Ukraina dhe Lindja e Mesme pritet të jenë tema kryesore të bisedimeve.
“Veçanërisht për Ukrainën dhe për Lindjen e Mesme, javët dhe muajt e ardhshëm janë jashtëzakonisht të rëndësishëm”, tha Kryeministri Starmer për kanalin BBC të dielën. “Prandaj, është e rëndësishme për mua të flas me Presidentin Biden për përgjigjen tonë të përbashkët, përgjigjen e aleatëve tanë ndaj çështjeve urgjente, të menjëhershme, por edhe ndaj çështjeve më strategjike afatgjata”.
Javën e kaluar, Britania njoftoi pezullimin e disa shitjeve të armëve për Izraelin për shkak të shqetësimeve se sulmet e ushtrisë izraelite ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës shkelin ligjin humanitar. Izraeli i ka mohuar këto akuza. Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të furnizojnë Izraelin me armë dhe nuk besojnë se Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar.