500 kilometra larg nga kryeqytetit amerikan Uashington, shteti rural i Virxhinias Perëndimore ka votuar për Partinë Demokrate për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të. Por tani, ky shtet është kthyer në bastion të republikanëve, duke votuar fuqishëm për ish Presidentin Trump në vitin 2016 dhe 2020. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson ishte në qytetin Berkley Springs të Virxhinias Perëndimore për të parë nga afër atmosferën politike në prag të zgjedhjeve të nëntorit dhe përgatiti materialin në vazhdim.
Your browser doesn’t support HTML5
Me ardhjen e vjeshtës, në qytetin turistik të Virxhinias Perëndimore fillon viti i ri shkollor dhe afrohen zgjedhjet e nëntorit.
“Ajo do të tërheqë votën e grave dhe të pakicës por ajo nuk ka substancë. Nuk ka një platformë apo arritje”, thotë votuesi John Lynch për Nënpresidenten Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente.
Virxhinia Perëndimore ka votuar fuqishëm për republikanin Donald Trump. Votuesit në këtë shtet janë të shqetësuar për zgjedhjet e nëntorit. Zëri i Amerikës bisedoi me votuesen Channell DeCroix.
“Jam mbështetëse e (ish-Presidentit) Trump dhe jam nervoze pasi mendoj se ata që ishin disi të pavendosur tani do të votojnë për Kamalën.”
Ky shtet rural luajti një rol të jashtëzakonshëm në politikën amerikane falë senatorit të vetëm demokrat, Joe Manchin, i cili në fillim të këtij viti deklaroi se ishte i pavarur. Ai luajti një rol të rëndësishëm në miratimin e legjislacioneve kyçe të administratës së Presidentit Biden.
Ndërsa zoti Manchin largohet nga politika këtë vit, guvernatori i njohur republikan, Jim Justice, duket se do t’i fitojë zgjedhjet për Senatin amerikan.
Marty Gearheart është drejtues i lartë republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të Virxhinias Perëndimore.
“Shteti ynë nxjerr qymyr dhe guvernatori Justice zotëron miniera qymyri, kështu që ai do ta mbrojë industrinë tonë”.
Shumë votues i fajësojnë demokratët për rënien e ekonomisë së Virxhinias Perëndimore si rezultat i luftës kundër qymyrit. Por demokratët e këtij shteti u përpoqën ta ndryshojë këtë perceptim në kuvendin demokrat në Çikago.
“Shkak për rënien është automatizimi i vendeve të punës nga pronarët dhe mënyra e nxjerrjes së qymyrit. Pa të drejtë fajësojnë rregullat mjedisore”, thotë Troy Miller, delegat i Virxhinias Perëndimore në kuvendin e demokratëve në Çikago.
Kandidati demokrat për Senat, Glen Elliot, thotë se qeverisja republikane nuk ka qenë e mirë për ekonominë apo shtetin.
“Ne duhet të inkurajojmë bizneset e vogla në mënyra që nuk janë bërë më parë dhe që rinia të mos largohet. Legjislatura e shtetit tonë vazhdon të miratojë ligje kufizuese, si ndalimi i abortit apo ligje kundër LGBTQ, që në thelb u dërgojnë mesazhin të rinjve se nuk ju duam këtu”.
Por në këtë shtet që mbështet fuqishëm zotin Trump, shumica e votuesve e fajësojnë dyshen presidenciale, Joe Biden dhe Kamala Harris, për problemet ekonomike.
“Përse po paguajmë një dollar më shumë për benzinën? Pse po shpenzojmë 25% më shumë për ushqimet? Përse interesi i huamarrjes është dyfishuar gjatë administratës së (Presidentit) Biden? Ajo mban përgjegjësi për këto”, thotë John Lynch, banor i Virxhinias Perëndimore.
Një anketë nga një organizatë lajmesh në Virxhinian Perëndimore në fund të gushtit tregon se zoti Trump kryeson me 27 pikë përballë demokrates Harris.