Konjufca: Bashkësia ndërkombëtare e njëanshme në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë

  • Leonat Shehu

Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca kritikoi të hënën bashkësinë ndërkombëtare për siç tha, qasje të njëanshme në trajtimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërsa theksoi se dialogu që zhvillohet në Bruksel ndodhet në një situatë pa rrugëdalje.

Ai i bëri këto komente në një kohë kur i dërguari evropian Miroslav Lajçak paralajmëroi një vizitë në Beograd, pak ditë pasi vizitoi Prishtinën, në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve, mes mospajtimeve ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore rreth zhvillimeve në veriun e Kosovës.

“I takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë shumë më e përcaktuar se çfarë po dëshiron, nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete, nëse dëshiron dhe ende mendon që principi i marrëveshjes së Ohrit që palët të funksionojnë si shtete sovrane të Kombeve të Bashkuara. Nëse bashkësia ndërkombëtare e ndan mendjen për me ec në këtë rrugë, Kosova është e gatshme...”, tha ai.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veriun e banuar me shumicë serbe, ku autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serb në veri ndërsa një grup qytetarësh në Serbi bllokoi për dy ditë rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën me kërkesën për tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione.

Kryetari i parlamentit Glauk Konjufca tha se gjatë këtij viti nuk pritet ndonjë gjë nga dialogu.

“Unë mendoj që ky vit do të shkojë kështu, plus që tash ne sapo të arrijmë muajin dhjetor unë konsideroj që veç se kemi hyrë në fushatë zgjedhore dhe do të kemi zgjedhjet kështu që do të jetë një situatë krejt e re në vitin 2025, sa i përket këtyre tre apo 4 muaj që kanë mbetur në këtë vit unë nuk pres ndonjë ndryshim substancial për dialogun e Brukselit apo një takimi të mundshëm në kuadër të procesit të dialogut”, tha zoti Konjufca.

Përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë thanë sot se vendi që nga shpallja e pavarësisë asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë më të pavolitshëm me partnerët ndërkombëtar.

“Kemi ardhur deri në pikën pra siç thonë edhe diplomatë amerikanë që ta nxjerrim Serbinë sikurse është në anën e duhur, fatkeqësisht një gjë e tillë nuk është imagjinuar që do të ndodhte ndonjëherë”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Politikat eksperimentuese që ndërlidhen me menaxhimin e brendshëm e kanë sjellë Kosovën në buzë të armiqësisë me botën perëndimore duke filluar me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë të ndarë rreth mënyrës së veprimit në veriun e vendit pas kritikave të aleatëve perëndimorë, të cilët kanë paralajmëruar përkeqësim të partneritetit në rast se qeveria vazhdon me qasje të njëjtë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha mbrëmë gjatë një interviste për “Kallxopernime” se aleatët perëndimorë nuk janë kundër veprimeve për vendosjen e ligjshmërisë në veri por kërkojnë bashkërendim.

Ajo tha se me kryeministrin Albin Kurti kanë qasje të ndryshme se si të arrihet qëllimi i njëjtë, ndërsa shfaqi besimin se qasja e saj për bashkërendim me aleatët është shumë më e frytshme gjykuar nga përvojat e deritashme të shtetit të Kosovës.

Të dy udhëheqësit që dolën bashkë në zgjedhjet e vitit 2021, por që duket se nuk do të jenë bashkë në zgjedhjet e vitit që po vjen. kohët e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë.