Tiranë, ministri i Brendshëm njofton ndryshimin e kupolës së policisë

  • Armand Mero

Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm

Në Shqipëri, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha njoftoi sot ndryshimin e të gjithë kupolës drejtuese të policisë, ndërsa gjatë ditës së djeshme Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, kishte dhënë dorëheqjen. Zoti Hoxha deklaroi gjatë një takimi me nivelet më të larta të policisë, se është koha për një gjeneratë të re drejtuesish, të cilët sipas ligjit të ri, do të duhet të hyjnë në konkurrim.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, ndryshohet e gjithë kupola drejtuese e policisë

Pas pak më shumë se një muaj nga marrja e detyrës, periudhë gjatë së cilës mbajti një profil të ulët publik, ministri Brendshëm Ervin Hoxha takoi sot drejtuesit më të lartë të policisë. Siç ai vetë bëri të ditur, që nga Drejtori i Përgjithshm dhe gjithë drejtuesit e qarqeve do të duhet të lënë detyrën. “Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian. Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë”.

Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku duket se dha një dorëheqje të detyruar një ditë më parë, ndërsa mbetet e paqartë mënyra e ndryshimit të vartësve të tij. Ligji i ri, i cili parashikon që drejtuesit e lartë të zgjidhen me konkurrim, ngjan të jetë përdorur si arsye për të përligjur këto lëvizje drastike. Konkurrimi i parë do të bëhet për Drejtorin e Përgjithshëm të policisë. Ministri Hoxha njoftoi se kishte firmosur dhe udhëzimin e posaçëm për këtë garë. Ndërsa drejtuesit e e tjerë “do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë. Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit”.

Ndërsa ka qenë thuajse e zakonshme që ndryshimi i ministrit të Brendshëm të pasohej me ndryshime dhe në polici, por graduale, lëvizja e tanishme e zotit Hoxha është ndër më të fortat të ndërmarra deri tani.