Operacion i madh ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor

Trupat izraelite duket se u tërhoqën nga tre kampe refugjatësh në Bregun Perëndimor, pas një operacioni ushtarak më shumë se njëjavor, që la pas dhjetra të vdekur dhe shkatërrime. Të premten, trupat izraelite u panë të largoheshin nga kampi i Xheninit, ndërsa më herët u tërhoqën edhe nga kampet Tulkarem dhe Al Faraa. Ushtria izraelite tha se operacioni kishte si objektiv çrrënjosjen e Hamasit nga Bregu Perëndimor. Palestinezët thonë se ka patur shkatërrime të mëdha në Xhenin.

Your browser doesn’t support HTML5

Operacion i madh ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor

Palestinezët thonë se ky është operacioni më i madh i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor që prej dy dekadash. Sulmi është përqëndruar në qytetet Xhenin dhe Tulkarm.

Zyrtarët izraelitë thonë se operacioni ka në objektiv udhëheqësit terroristë në Bregun Perëndimor dhe se forcat izraelite kanë vrarë deri më tani të paktën 29 prej tyre. Hamasi dhe Xhihadi Islamik kanë thënë se pjesa më e madhe ishin anëtarë të organizatave të tyre.

Analistët izraelitë thonë se Hamasi ka filluar të përqëndrohet tek Bregu Perëndimor, pasi u dobësua në Gazë.

“Në Rripin e Gazës, Hamasi është pothuajse plotësisht i shpërbërë. Irani dhe udhëheqësit e Hamasit në mërgatë, e kuptojnë se kanë humbur një pjesë të rëndësishme të të ashtuquajturit ‘aksi i rezistencës’. Po përpiqen ta kompensojnë këtë humbje duke forcuar infrastrukturën në Bregun Perëndimor, duke futur kontrabandë armë dhe eksploziv, si dhe para nga Siria, Libani dhe Iraku, nëpërmjet Jordanisë, dhe në vazhdim përmes luginës së Jordanit dhe drejt pjesëve veriore të Bregut Perëndimor”, i tha Zërit të Amerikës, Kobi Michael, studiues në Institutin për Studimet e Sigurisë Kombëtare, në Universitetin e Tel Avivit.

Zyrtarët politikë dhe ushtarakë të Izraelit thonë se aktiviteti terrorist në Bregun Perëndimor është shtuar, ndër të tjera edhe me prodhimin lokal të armëve.

“Zbuluam se në Xhenin, në Ramallah, ka një industri serioze ushtarake që ka prodhuar për vite të tëra, jo vetëm raketa, por edhe bomba dhe armë të ndryshme. Mendoj se ky është objektivi ynë”, tha Amit Halevi, deputet i Partisë Likud në parlamentin izraelit.

Por, palestinezët thonë se operacioni në Bregun Perëndimor po dëmton edhe civilët, në veçanti kampin e refugjatëve në Xhenin. Ata thonë se ushtria izraelite ka prishur shumë rrugë, ndërsa gërmon për paisje shpërthyese, duke e bërë të pamundur udhëtimin drejt kampit. Uji dhe energjia elektrike janë ndërprerë në disa zona.

Analistët palestinezë thonë se opinioni publik në Bregun Perëndimor po mbledh më shumë zemëratë.

“Së fundmi, një fenomen i ri u shfaq në Bregun Perëndimor: Njerëz që janë të gatshëm të luftojnë dhe që po mbledhin armë, të ushqyer nga ndjenja e hakmarrjes për çfarë po ndodh në Gazë dhe nga praktikat e përditshme të pushtimit izraelit”, i tha Zërit të Amerikës gazetari palestinez Mohammed Daraghmeh, i rrjetit të lajmeve Al-Sharq News.

Numri i palestinezëve të vrarë nga ushtarët izraelitë, ose nga banorët e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, po rritet. Kombet e Bashkuara kanë raportuar 680 të vdekur që kur filloi lufta kundër Hamasit në tetor. Izraeli thotë se 22 ushtarë dhe civilë izraelitë janë vrarë gjithashtu në Bregun Perëndimor gjatë së njëjtës periudhë.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencia Associated Press