Pas dy muajsh kaosi politik pas zgjedhjeve të parakohshme, Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi të enjten si kryeministër të vendit Michel Barnierin, i cili u zotua të bashkëpunojë në të gjithë spektrin politik, por dha pak hollësi për planet e tij.
Ish-kryenegociatori i Bashkimit Europian për Brexit-in, një konservator i matur që është relativisht i panjohur në Francë megjithë postet e mëparshme ministrore, përballet me sfidën të vështira, si ligji për buxhetin e 2025-ës, në një parlament ku asnjë parti nuk ka shumicën.
Fati i zotit Barnier dhe Presidentit Macron varet nga partia e së djathtës së skajshme e Marine Le Penit, Bashkimi Kombëtar, e cila ka dhënë mbështetje deri tani për emërimin e tij, por e ka bërë të qartë se mund të tërheqë përkrahjen në çdo moment, në rast se nuk merren parasysh shqetësimet e kësaj force mbi emigracionin dhe sigurinë.
Duke folur në rezidencën kryeministrore zoti Barnier tha se mandati i tij "do të ketë përparësi trajtimin e sfidave, zemërimit, vuajtjes, ndjenjës së braktisjes, padrejtësisë nga qytetet deri në zonat rurale”.
Zoti Barnier, 73 vjeç, bëhet kryeministri më i vjetër në moshë në historinë e politikës moderne të Francës dhe do të zëvendësojë Gabriel Attalin, i cili ishte më i riu në këtë post.
Presidentit Macron iu deshën dy muaj për ta emëruar atë, pasi asnjë parti politike nuk siguroi një shumicë të qartë pas zgjedhjeve.
Zoti Barnier tha se do të dëgjonte të gjitha grupet politike, duke përmendur si përparësi kujdesin shëndetësor, sigurinë dhe vendet e punës, si dhe uljen e borxhit.
"Francezët shprehën nevojën për respekt, bashkim dhe qetësi", tha zoti Barnier, duke qëndruar në krah të zotit Attal.
E majta, e cila u rendit e para në zgjedhje, por pa shumicë absolute, e bëri të qartë se do të kundërshtonte kryeministrin Barnier.
"Zgjedhjet iu vodhën popullit francez", tha udhëheqës i së majtës së ashpër, Jean-Luc Melenchon, duke bërë thirrje për protesta të shtunën. Një tjetër ligjvënëse e së majtës, Mathilde Panot tha se po ndodhte një "grusht shteti i papranueshëm".
Jordan Bardella, udhëheqës i partisë Bashkimi Kombëtar, partia më e madhe në Parlament tha se duhet të trajtohen shqetësimet e së djathtës së skajshme. “Ne kemi të drejtën e çdo veprimi politik në rast se kjo nuk ndodh në javët në vazhdim”, tha ai.
Zoti Barnier është një politikan pro-evropian dhe një politikan karriere, megjithëse i ashpërsoi shumë qëndrimet kur kërkoi pa sukses emërimin nga partia e tij për postin e presidentit në vitin 2021, duke thënë se emigracioni ishte jashtë kontrollit.
Ai u bë deputet në moshën 27-vjeçare dhe shërbeu në disa qeveri franceze, duke përfshirë poste si ministër i Jashtëm dhe Bujqësie. Ai ka kaluar pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit duke punuar në selinë e BE-së në Bruksel, ku drejtoi bisedimet e Bashkimit Europian me Britaninë mbi daljen e saj nga blloku.