BANGKOK - Vendimi i prokurorëve në Nju Jork për të ngritur aktpadi ndaj një ish punonjëseje në zyrën e guvenatores së Nju Jorkut këtë javë me akuzën se ka shërbyer si agjente për qeverinë kineze, ka ngritur shqetësime mbi përpjekjet e Kinës për të ndikuar në politikën amerikane.
E akuzuara Linda Sun ka shërbyer në role të shumta në qeverinë vendore të Nju Jorkut, përfshirë edhe si zëvendës shefe e kabinetit të guvernatores Kathy Hochul. Ajo akuzohet se ka promovuar interesat kineze gjatë angazhimeve zyrtare, përfshirë bllokimin e përfaqësuesve të Tajvanit që ta takojnë guvernatoren, në këmbim të përfitimeve financiare në vlerë prej miliona dollarësh.
Arrestimi i zonjës Sun të martën është rasti i fundit dhe ndoshta i nivelit më të lartë në një mori rastesh të hetuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në vitet e fundit, në përpjekje për të çrrënjosur agjentët e Pekinit nga toka amerikane.
Ndërkohë që rastet tjera përfshijnë akuza ndaj spiunëve të dyshuar kinezë për raportimin apo vëzhgimin e disidentëve kritikë ndaj partisë komuniste, rasti i të martës duket si shembull se si Kina po përpiqet të ndikojë drejtpërdrejt në politikën amerikane në përputhje me interesat e saj, edhe në këtë nivel lokal.
Përse në nivel shtetëror?
Kina mendon se është e rëndësishme të krijojë marrëdhënie në nivel vendor me zyrtarët amerikanë dhe gjithmonë ka qenë e këtij mendimi.
Ndonëse marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë bërë gjithnjë e më të tensionuara, dy vendet kanë kultivuar lidhje të gjera në nivel rajonal që nga viti 2010, prej kur guvernatorët amerikanë zhvilluan vizita të shpeshta në Kinë për të forcuar lidhjet tregtare dhe kulturore.
Kjo situatë ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, ndërkohë që marrëdhëniet e qeverisë amerikane me Kinën po bëhen gjithnjë e më të tensionuara dhe tani kur ka një konsensus dypartiak në SHBA për qëndrim më të ashpër ndaj Kinës. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po vendosin tarifa të larta ndaj produkteve kineze dhe po kufizojnë eksportimin e artikujve të sofistikuar teknologjikë në Kinë.
Disa shtete po miratojnë ligje për të ndaluar praninë e Kinës. Shtetet e Xhorxhias, Floridës dhe Alabamës janë vetëm disa nga shembujt që kane ndaluar shtetatsit kinezë që të blejnë prona të patundshme.
Tani që "marrëdhëniet në nivelin federal janë përkeqësuar" përpjekjet për të ndikuar në nivel shteti "janë shtuar për nga rëndësia", thotë analistja Mareike Ohlberg nga Fondacioni "German Marshall Fund", e cila studion Kinën. "Më mirë pak, se hiç."
Si ndikon Pekini jashtë vendit?
Partia Komuniste Kineze ka një degë që është e ngarkuar posaçërisht për çështje jashtë vendit, e quajtur "Fronti i Bashkuar." Kjo degë kontrollon një mori grupesh, të cilat kanë për qëllim të angazhojnë kinezët që jetojnë jashtë vendit nën petkun e grupeve shoqërore apo industriale. Në mesin e këtyre grupeve është Federata për Kthimin e Kinezëve nga Jashtë, e cila mbikëqyr një numër grupesh më të vogla.
Këto grupe përpiqen të zgjerohen me anëtarë nga radhët e diasporës kineze dhe kanë degë nëpër gjithë botën, nga Afrika deri në Azinë juglindore dhe Amerikën e Veriut.
Analisti Willy Lam nga Fondacioni 'Jamestown' thotë se qeveria kineze ka një histori të gjatë të vënies në shënjestër të qyteteve të mëdha amerikane dhe të shteteve që kanë komunitete të mëdha kinezësh, siç janë Nju Jorku, Nju Xhersi, Los Anxhelosi dhe San Francisko, ku agjentët e Pekinit punojnë me shoqatat dhe organizatat tregtare për kinezët që jetojnë jashtë Kinës.
Për këto grupe lokale është e leverdishme të punojnë me Pekinin, ndërkohë që kjo lloj infrastrukture i kursen Pekinit angazhim të mundimshëm në terren, thotë zoti Lam.
Zonja Sun ishte e lidhur me zotin Shi Qianping, që e identifikon veten si anëtar i Komisionit për organizatën "Federata për Kthimin e Kinezëve nga Jashtë", sipas mediave kineze. Sipas agjencisë kineze Hsinhua, ai ka mbajtur rolin e kreut të Federatës amerikane të Sipërmarrësve kinezo-amerikanë.
Zonja Sun po ashtu është angazhuar me degët rajonale të grupit 'Kinezët e kthyer nga Jashtë', si ai në krahinën e Jiangsus, ku zonja Su, sipas grupit, kishte lindur.
Përveç këtyre grupeve, gjatë kohëve të fundit janë shtuar shqetësimet për stacionet policore kineze jashtë vendit, të cilat po themelohen pa njohurinë e shteteve ku ato veprojnë. Vitin e kaluar, policia e Nju Jorkut arrestoi dy persona me pretendimin se kishin themeluar një stacion sekret policor në emër të një agjencie policore të një krahine kineze.
Çfarë dëshiron Pekini?
Rasti i zonjës Sun, jeta e së cilës në shikim të parë është si skenar për filma spiunazhi, tregon se Kina është e interesuar të ushtrojë ndikim në një nivel më pak të dukshëm - për shembull, duke promovuar mesazhe që janë në të njëjtën vijë me qëndrimet e Pekinit.
Prokurorët thonë se zonja Sun i kërkoi një zyrtari kinez disa ide për një mesazh që do të bënte me video regjistrim guvernatorja Hochul, gjatë kohës kur mbante pozitën e zv/guvernatores për të uruar Vitin e Ri kinez. Sipas prokurorëve, ajo me qëllim nuk e la zonjën Hochul që të përmendte çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë në video-mesazh.
Zonja Sun, sipas prokurorisë, ka bllokuar përfaqësuesit e qeverisë tajvaneze që të takohen me zyrtarët e lartë të Nju Jorkut. Tajvani është një demokraci vetëqeverisëse, që Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj dhe i konsideron komunikimet ndërmjet përfaqësuesve qeveritarë tajvanezë dhe qeverive tjera si shkelje të sovranitetit të saj.
Fjalimet e Presidentit kinez Xi Jinping dhe dokumentet e partisë e kanë bërë të qartë që një prej urdhrave për angazhimin e partisë jashtë vendit është të mobilizojnë kinezët që jetojnë jashtë Kinës, për të mbështetur synimet e partisë, përfshirë që të nxisë ata që "në mënyrë aktive të jenë pjesëmarrëse dhe të mbështesin" kauzat e modernizimit dhe bashkimit paqësor me atdheun e tyre.
Qeveria kineze po ashtu është treguar e gatshme që të përdorë çështjet e brendshme amerikane, siç është dhuna ndaj aziatiko-amerikanëve, për të shtuar mesazhet e saj. Zonja Sun pretendonte se ishte përfaqësuese e komunitetit aziatiko-amerikan.
"Qeveria kineze dëshiron të pretendojë se flet për të gjithë kinezët që jetojnë jashtë vendit," thotë analistja Audrye Wong nga Instituti "American Enterprise". Ajo tha se qeveria kineze nganjëherë nuk bën dallim të qartë midis grupeve të vërteta kulturore dhe të komunitetit me operacionet e saj për të ushtruar ndikim.
A duhet që qeveritë vendore të ndërpresin angazhimet me krahinat kineze?
Kina shpesh ka arritur të përcaktojë agjendën sa i përket angazhimin në nivelin lokal. "Ka një shpërputhje sa u përket burimeve njerëzore kineze dhe atyre amerikane", thotë analistja Ohlberg. Për shembull, qyteti i Shanghait ka qindra punonjës në administratën e tij që punojnë për angazhimet ndërkombëtare, ndërkohë që shtetet amerikane mund të kenë vetëm disa punonjës të tillë në administratë.
"Duhet një qasje më strategjike në këtë aspekt, më shumë burime, më shumë njohuri dhe pastaj mund të vendosësh", thotë ajo.
Analisti Wong thotë se qeveritë lokale duhet të angazhohen me komunitetet me prejardhje aziatike dhe jo të mbështeten tek një individ i vetëm si person ndërlidhës me komunitetin, siç ishte sipas gjasash rasti me zonjën Sun dhe të "ndërtojnë infrastruktura të mirëfillta në nivel komuniteti për t'u angazhuar me organizatat legjitime aziatiko-amerikane.