Shqetësimet për integritetin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara

  • Steve Herman

Dy partitë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara po shprehin shqetësimin për “integritetin e zgjedhjeve” përpara votimeve të nëntorit . Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, shqetësimet janë në lidhje me procesin e regjistrimit të votuesve, hedhjen e votës, numërimin e votave dhe çertifikimin e rezultatit.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqetësimet për integritetin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara

Demokratët i akuzojnë republikanët për kufizimin e qasjes në qendrat e votimit dhe se po planifikojnë zvarritjen e procesit të çertifikimit të rezultateve. Republikanët dyshojnë se përfaqësues të Partisë Demokrate manipulojnë fletëvotimet që dërgohen me postë, makineritë e numërimit të votave dhe se vazhdojnë të mbajnë në listat e votuesve emra personash që nuk duhet të jenë aty.

Kandidati republikan, ish-Presidenti Donald Trump, përballet me akuza penale për përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.

“Mendova se zgjedhjet ishin të manipuluara, të vjedhura...”, tha ish-Presidenti Trump.

Kandidatja demokrate, Nënpresidentja Kamala Harris, e akuzon zotin Trump për dëmtimin e besimit tek zgjedhjet, ndërsa zotohet të ruajë parimet themelore amerikane.

“Që nga funksionimi i shtetit ligjor. Tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Tek transferimi paqësor i pushtetit”, tha Nënpresidentja Harris.

Agjencitë federale po përgatiten duke patur parasysh situatat e krijuara në 6 janar 2021, kur mbështetësit e zotit Trump, të pakënaqur me humbjen e presidentit në zgjedhje, sulmuan Kapitolin.

A po forcohet integriteti i zgjedhjeve nga këto masa përgatitore?

Kjo është shpresa e aktivistëve, si drejtuesja e organizatës 104-vjeçare Lidhja e Grave Votuese.

“Mbetet për t’u parë. Do shohim se çfarë do të ndodhë, cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve, si do të ndjehen njerëzit, çfarë protestash do të ketë dhe nëse ato bëhen të dhunshme. Shpresa ime është që të mos bëhen të tilla”, thotë Celina Stewart.

Deri më tani sistemi është mbajtur mirë, thotë kryetari i Komisionit federal për Ndihmën Zgjedhore, Ben Hovland.

“Kemi patur tashmë shumë zgjedhje paraprake, për zgjedhjet presidenciale, për ato të shteteve. Pra zyrtarët zgjedhorë kanë patur goxha praktikë këtë sezon dhe mendoj se jemi në formë të mirë ndërsa afrohet nëntori”, thotë zoti Hovland.

Në Qarkun Champaign në Illinoi, dega lokale e Partisë Republikane bëri përpjekje në vitin 2020 që gjykata ta ndalte numërimin e votave të dërguara me postë.

“Gjykatësi e rrëzoi kërkesën dhe mundëm të vazhdonim numërimin. Por e provuan, ashtu siç po e provonin në pjesë të tjera të vendit”, thotë Aaron Ammons, nga bashkia Champaign.

Ai thotë se për shkak të kërcënimeve, frikësimit dhe padive, janë larguar shumë zyrtarë zgjedhorë dhe vullnetarë në mbarë vendin.

“Është e dëmshme dhe dekurajon njerëzit që e bëjnë këtë punë, nëse nuk marrin mbështetjen që nevojitet për të qenë në vijën e parë të demokracisë”, thotë zoti Ammons.

Është e rëndësishme që të ftohen kandidatët, zyrtarët e partive dhe publiku që ta ndjekin sistemin në funksionim, thotë drejtori për zgjedhjet në Bashkinë St. Louis, në Misuri.

“Hapja e votave të dërguara me postë, tabulimi, testimi i pajisjeve të votimit, rinumërimi manual, auditi pas zgjedhjeve – janë të gjitha procese që mund të vëzhgohen nga publiku”, thotë Eric Frey.

Drejtuesit republikanë në Senat kërkojnë të miratohet një legjislacion i ri sipas të cilit personat që regjistrohen për të votuar, duhet të paraqesin edhe dokument për të provuar se janë nënshtetas. Shumica e ligjvënësve demokratëve thonë se ligjet në fuqi ndalojnë votimin e joshtetasve në zgjedhjet federale dhe se nuk ka të dhëna për të mbështetur pretendimet se ka votime në nivele domethënëse nga emigrantë të paligjshëm.