Mbështetja ushtarake gjermane për Ukrainën dhe ndihmat për refugjatët ukrainas të zhvendosur në Gjermani janë vënë në pikëpyetje pas zgjedhjeve në të cilat një parti politike e ekstremit të djathtë fitoi pushtetin në një shtet lindor në Gjermani.
Edhe e majta ekstreme shënoi rritje në këto zgjedhje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës i hedh një vështrim rezultatit të këtyre votimeve dhe ndikimit që mund të ketë mbi ndihmën për Ukrainën.
Your browser doesn’t support HTML5
Partia e ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’ ose ‘AfD’ shënoi fitore bindëse në zgjedhjet shtetërore të Turingisë në lindje të vendit dhe doli e dyta në Saksoninë fqinje.
"Shumica e votuesve duan ndryshime. Por ndryshimet politike nuk mund të arrihen pa forcën kryesore politike në Turingi. Jam kurioz të shoh se si partitë e vjetra, mund të arrijnë të formuar një koalicion humbës, që të jetë tërheqës për votuesit”, thotë udhëheqësi i AfD-së, Bjoern Hoecke.
Kjo është fitorja e parë e së djathtës ekstreme në një shtet gjerman që nga Lufta e Dytë Botërore. Partia e sapoformuar e së majtës ekstreme BSW doli e treta.
Megjithëse ky ishte një rezultat i pritshëm, ai ka tronditur shumë aleatë të Gjermanisë, duke përfshirë Ukrainën. Gjermania është përkrahësja e dytë më e madhe ushtarake e Ukrainës, pas Shteteve të Bashkuara. Tani kjo është vënë në dyshim.
“Të dyja forcat, ajo e ekstremit të djathë dhe ajo e ekstremit të majtë bënë fushatë me thirrje për shkurtimin e ndihmave gjermane për Ukrainën, duke theksuar reduktimin e ndihmës ushtarake. Ata i bënë thirrje qeverisë që më në fund të ushtrojë trysni ndaj ukrainasve për të nisur negociatat me Rusinë”, thotë Mattia Nelles, bashkëthemelues i byrosë gjermano-ukrainase.
Në periudhën afaftshkurtër, analistët thonë se rezultatet e zgjedhjeve shtetërore nuk do të ndikojnë në ndihmat financiare të qeverisë federale për Ukrainën.
“Por vërehet një ndryshim i lehtë në retorikën e katër partive të qendrës. Disa prej tyre kanë përqafuar deklaratat ose kornizat e partive populiste dhe të ekstremit të djathtë”, thotë zoti Nelles.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, i partisë liberale FDP, pjesë e koalicionit qeverisës, po bën presion që në buxhetin e ardhshëm ndihma për Kievin të përgjysmohet. Partia e tij fitoi më pak se 5 për qind në zgjedhjet shtetërore të Turingisë dhe ai frikësohet se e njëjta gjë mund të përsëritet edhe në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm.
“Është një betejë për mbijetesë politike, veçanërisht për liberalët, që po bëjnë thirrje për shkurtimin e buxhetit për Ukrainën”, thotë Liana Fix nga organizata ‘Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë”.
Emigracioni ishte një nga çështjet përcaktuese në rritjen e së djathtës ekstreme, e cila e vuri theksin tek jo-evropianët, në veçanti tek emigrantët myslimanë.
Por Gjermania ka strehuar po ashtu më shumë se një milion refugjatë ukrainas.
“Çështja nëse dhe si duhet të financohen dhe nëse duhet të kthehen në Ukrainë është e ndjeshme. Kemi burra, që kanë moshën e duhur për t’iu bashkuar ushtrisë. Ka një trysni në rritje ndaj meshkujve ukrainas që janë strehuar në Gjermani për të nxitur kthimin e tyre në Ukrainë”, thotë analisti Nelles.
Partia Social Demokrate e Kancelarit Olaf Scholz vuri në dukje se shërbimet gjermane të zbulimit e kanë përcaktuar AfD-në si parti ekstremiste dhe shtoi se fitorja e saj në Turingi duhet të shërbejë si një “thirrje për t’u zgjuar”.