Rusia sulmon me raketa balistike një qytet të Ukrainës, 51 të vrarë

Arkiv

Dy raketa balistike ruse goditën një objekt arsimor dhe një spital aty pranë, në qytetin Poltava, duke vrarë të paktën 51 persona dhe plagosur mbi 271 të tjerë, njoftoi të martën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Poltava, ndodhet rreth 110 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe rreth 350 kilometra në juglindje të Kievit.

Sulmi duket se është një nga më të përgjakshmit kryer nga forcat ruse që nga fillimi i luftës më shumë se 900 ditë më parë, më 24 shkurt të vitit 2022.

“Një nga godinat e Institutit të Komunikimeve është shkatërruar pjesërisht. Njerëzit e gjetën papritur vetën nën rrënoja. Shumë u shpëtuan”, shprehej zoti Zelenskyy në një video të postuar në kanalin ‘Telegram’.

“Të gjitha shërbimet e nevojshme janë përfshië në operacionet e shpëtimit”, shtoi ai.

Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se kishte urdhëruar "një hetim të plotë dhe të shpejtë" mbi ngjarjen, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, raketat kishin goditur menjëherë pasi ranë sirenat që njoftojnë për sulme ajrore, e ndërsa shumë njerëz po drejtoheshin drejt vendstrehimeve për t’u mbrojtur nga bombardimet.

Ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe mjekët shpëtuan 25 persona, 11 prej të cilëve u nxorën nga rrënojat, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Moska nuk ka bërë ende asnjë koment lidhur me sulmet.