Turqia arreston një shtetas të Kosovës nën akuzën për bashkëpunim me Mossadin

  • Leonat Shehu

Turqia tha se ka arrestuar një shtetas të Kosovës nën akuzat për menaxhimin e rrjetit financiar të agjencisë izraelite të zbulimit Mossad.

“Liridon Rexhepi u arrestua në Stamboll më 30 gusht, i dyshuar për transferimin e fondeve për personelin e Mossadit që vepron në Turqi”, tha Agjencia Turke e Zbulimit MIT.

Turqia, e cila e ka dënuar Izraelin për luftën e tij kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, ka arrestuar këtë vit më shumë se 20 persona të dyshuar për lidhje me Mossadin.

Agjencia Kombëtare Turke e Zbulimit tha se Liridon Rexhepi ishte nën vëzhgim që nga hyrja e tij në Turqi më 25 gusht ndërsa dyshohet se ka lehtësuar transfertat financiare nga vendet e Evropës Lindore, kryesisht Kosova, te agjentët e Mossadit në Turqi.

Në deklaratë thuhet se fondet e transferuara nga Rexhepi janë përdorur për mbledhjen e informacioneve në Siri dhe operacionet psikologjike kundër palestinezëve.

“Rexhepi përdori shërbimet e transferimit të parave për të transferuar fonde në Turqi. Fondet më pas u shpërndanë tek operativët në terren, të cilët, nga ana tjetër, dërguan një pjesë të parave në Siri, shpesh duke përdorur kriptovalutat për këto transaksione”, thanë burimet.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë Albulena Haxhiu, pohoi së ka marrë disa pyetje nga autoritetet turke, por nuk dha më shumë hollësi, për shkak të sic tha “ndjeshmërisë së rastit”.

Izraeli nuk e ka komentuar njoftimin e autoriteteve turke.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters