Shqipëri, nis sesioni i ri parlamentar, opozita mosbesuese ndaj thirrjeve të shumicës për bashkëpunim

  • VOA

Seanca e hapjes së sesionit të ri të parlamentit shqiptar

Në Shqipëri parlamenti nisi sesionin e ri mes thirrjeve të shumicës për bashkëpunim me opozitën, dhe mosbesimit të kësaj të fundit, në ndryshimin e qasjes nga ana e socialistëve. Në hyrjes të seancës së pasdites së sotme, pasi më herët gjatë ditës ishte miratuar me konsensus, programi dhe kalendari i punës, kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, përdori edhe nota të kehta kritike ndaj shumicës së cilës ajo i përket, kur tha se “mund të ishte më tolerante" e duke shtuar se"pakica duhet të ishte më e vetëkontrolluar”.

Sesioni i kaluar parlamentar u dominua thuajse në pjesën më të madhe nga skena përplasjesh të forta, të cilat u shuan në pranverë pasi palët u përfshinë më pas në dialog duke gjetur zgjidhje për kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, e më pas dhe për disa ndërhyrje në kodin zgjedhor, ku u pranua dhe një formulë për votën e diasporës.

Shpesh jemi sjellë si shkak dhe pasojë të njëri-tjetrit, ku mungesa juaj e kontrollit ka sjellë bjerrjen e tolerancës sonë, por rast pas rasti, të dyja bashkë, kanë shkaktuar cënim të cilësisë së vetë Parlamentit, si një pushtet nga i cili buron edhe pushteti ekzekutiv dhe ndikon në të gjithë jetën e vendit”, u shpreh zonjë Spiropali, duke kërkuar më pas bashkëpunimin e opozitës në disa çështje me interest ë përbashkët, veçanërisht, në ato që lidhen me integrimin europian të vendit.

Por për kryetarin e grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi “ky sesion nuk ka për të qenë i ndryshëm nga 11 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës. Praktika ka treguar se shumica nuk ka vullnet për të debatuar nisma apo ligje”, tha ai duke, duke akuzuar kryeministrin se “e ka shndërruar këtë sallë në parlamentin e punëve personale. Sot jemi vetëm në letër republikë parlamentare, por këtu nuk sundon ligji e kushtetuta, por vullneti i një njeriu që për pushtetin e tij, është i gatshëm, t’i vërë flakën vendit”.

Si zonja Spiropali, ashtu më pas dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi, i mëshuan dhe nevojës së pjesmarrjes së opozitës në dy komisionet e posaçme të ngritura me nismën e shumicës, ai “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin” dhe Komisioni “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”. Për të dyja opozita ka qenë skeptike duke hedhur dyshime se synohet goditja e institucioneve të pavarura të drejtësisë, e veçanërisht Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit, apo intimidimi i mediave. Në fjalën e tij zoti Bardhi, nuk e preku fare çështjen e pjesmarrjes së opozitës në këto dy komisione, duke nënvizuar se përparësi në marrëdhëniet mes palëve, duhet të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira.

Nevojës së bashëpunimit mes shumicës dhe opozitës në parlament, i mëshoi në një mesazh drejtuar parlamentit dhe presidenti Bajram Begaj, sipas të cilit “çështja e dialogut politik në vend dhe në këtë hapësirë të shenjtë të demokracisë duhet të mbetet prioritet”. Në mesazhin e tij kreu i shtetit, shprehej se “Kuvendi duhet t’i përqendrojë përpjekjet e tij legjislative në objektivin tonë kryesor kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Evropian” dhe se “nismat legjislative duhet të bazohen në shqetësimet reale të qytetarëve tanë dhe në sektorë të ndryshëm, si: ekonomia, shëndetësia, drejtësia, arsimi, mjedisi dhe drejtësia sociale midis të tjerave”.

Presidenti Begaj, po ashtu vuri theksin te nevoja e forcimit të luftës kundër korruprionit dhe krimit të organizuar. “Parlamenti duhet të mbështesë plotësisht reformën në drejtësi, institucionet tona të drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore. Inkurajoj Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë”, nënvizoi kreu i Shtetit.