Grupe qytetarësh serbë protestuan të hënën përballë ndërtesave të institucioneve paralele të Serbisë në veri, pak ditë pasi autoritetet i mbyllën ato institucione mes kritikave perëndimore për veprime të pabashkërenduara.
Your browser doesn’t support HTML5
Autoritetet në Kosovë thanë se komunat paralele serbe në veri, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Igor Simiç, që ka vepruar deri të premten në ndërtesat e mbyllura nga autoritetet e Prishtinës, tha se ato institucione nuk janë paralele, por në shërbim të qytetarëve.
“Ne paguajmë afro 30 mijë pensione për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. Më shumë se 4 mijë shqiptarë nuk do të mund të marrin pension sepse dikush vendosi të hyjë në këto ndërtesa dhe 26 mijë serbë dhe boshnjakë”, tha ai duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos rrijë anash por të mbrojë popullin serb.
“Ftoj vendet e Quint-it, Bashkimin Evropian, UNMIK-un, të gjithë ata që i dënuan këto veprime, të vijnë dhe të mbështesin këta njerëz, të drejtën për punë dhe të drejtën e serbëve për të jetuar në Kosovë. Është e vetmja mënyrë, jo njoftimet anemike që i dëgjojmë për dy vjet”, tha zoti Simiç.
Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.
Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
Lexoni edhe këtë O’ Brien: SHBA të shqetësuara nga veprimet “e pabashkërenduara dhe provokuese” të qeverisë së KosovësMbyllja u kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që tërhoqën vërejtjen në atë që e cilësuan vazhdimësi të veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara të autoriteteve të Kosovës.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano tha sot se hapat e Prishtinës zyrtare mund çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës tashmë të paqëndrueshme në terren.
“Bashkimi Evropian, çfarë do të bëjë? Natyrisht, ne jemi duke përcjellë qëndrimin dhe shqetësimin tonë me këtë varg hapash të njëanshëm të pabashkërenduar, te autoritetet e Kosovës në Prishtinë. Vitin e kaluar ne kishim përfundimet e Këshillit Evropian në të cilat vendet anëtare ishin shumë të qarta. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, tha ai.
Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të perëndimit.
Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.
Bashkimi Evropian tha se synon një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë pasi që ka shumë çështje në tryezë që duhet të zgjidhen dhe ditëve në vijim pritet që i dërguari evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm në Bruksel. Por vet zoti Lajçak ka thënë se do të ishte naive të besohej se mund të ketë përparim para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë që pritet të mbahen në fillim të muajit shkurt të vitit të ardhshëm.