Vendi ku Hamasi vrau 364 njerëz kthehet në qendër pelegrinazhi

NOVA (Ricki Rosen/VOA)

Ndërsa afrohet përvjetori i sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi luftën në Gazë, vendi ku u mbajt festivali Nova është kthyer në një qendër pelegrinazhi. Në këtë vend, Hamasi vrau 364 të rinj dhe mori 44 pengje. Gazetarët e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein dhe Ricki Rosen ishin në vendin ku u mbajt festivali Nova dhe biseduan me shumë vizitorë izraelitë dhe të huaj në atë që tashmë është kthyer në një qendër pelegrinazhi.

Your browser doesn’t support HTML5

Vendi ku Hamasi vrau 364 njerëz kthehet në qendër pelegrinazhi

Kobi Itach po viziton vendin ku u mbajt festivali Nova, ku djali i tij Leil u vra gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor. Zoti Itach dhe familja e tij po ndërtojnë një përkujtimore për djalin e tyre ndërsa vazhdojnë luftimet në Gazë, aty pranë.

Zoti Itach flet me një grup ushtarësh izraelitë lidhur me djalin e tij dhe mbi 360 viktimat e tjera të sulmit të Hamasit.

“Ndjejmë zërin që vjen nga toka. Çdo hebre në botë, madje edhe jo-hebrenj, duhet të vijë në këtë vend për të parë se çfarë ka përjetuar Izraeli, me çfarë u përballën këta fëmijë. Ata erdhën për të kërcyer dhe u vranë këtu. Duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë”, thotë Kobi Itach.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Thomas Serfaty, i cili ka shkuar në vendngjarje me një grup nga Franca.

“Doja t'i shikoja gjërat me sytë e mi, në mënyrë që të jem i përgatitur kur të flas me disa njerëz në Francë. Sepse si në Amerikë, ashtu edhe në Francë kemi disa njerëz që dyshojnë për atë që ndodhi, tmerret e asaj që ndodhi këtu.”

Mes vizitorëve është edhe nënkryetari i parlamentit izraelit, Nissim Vaturi, me një delegacion nga partia Likud në pushtet.

“Kemi ardhur për të parë ato fytyra dhe për të mbështetur jugun e Izraelit. Kjo është arsyeja që ne po luftojmë në Gazë”, thotë për Zërin e Amerikës nënkryetari i parlamentit izraelit.

Michael Sabbag po shkruan një citim nga Dhiata e Vjetër, në kujtim të një ushtari të vrarë në festivalin Nova. Ai i fton vizitorët e çdo besimi që të bekohen duke mbështetur citimet e librit të shenjtë.

“Është e mahnitshme kur sheh hebrenj nga Franca, Britania e Madhe, Amerika dhe e gjithë bota që vijnë këtu dhe derdhin lot për njerëz që nuk i njihnin. Kjo është madhështia e popullit hebre, që ndjen dhimbjen e njëri-tjetrit”.

Tzipora Waternov u zhvendos në Izrael nga Çikagoja dhjetë vjet më parë. Ajo udhëtoi më shumë se tre orë për ta vizituar këtë vend.

“Psalmi 30, rreshti i dytë deri në të fundit thotë: ‘Unë do ta kthej zinë tuaj në vallëzim. Do të heq petkun e pikëllimit dhe do të mbuloj me gëzim”.

Ndërsa afron njëvjetori i ngjarjeve të 7 tetorit, për shumicën e izraelitëve ka ende shumë më tepër zi sesa gëzim.