Në këtë garë të ngushtë presidenciale në Amerikë, shteti jugor i Xhorxhias është një nga disa shtete që mund të përcaktojnë fituesin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, njofton mbi fushatat e republikanëve dhe demokratëve në Xhorxhia dhe shpresat e tyre për të fituar në këtë shtet të rëndësishëm.
Your browser doesn’t support HTML5
Kamala Harris zgjodhi një udhëtim me autobus përmes Xhorxhias si angazhim të parë në fushatë pas kuvendit të partisë demokrate. Ajo e filloi fushatën në Xhorxhia me një ndalesë në një shkollë të mesme, ku po praktikonte banda muzikore. Kandidati për nënpresident, Tim Walz foli mbi “entuziazmin” në fushatën e demokratëve.
“Jam mirënjohës që jam pjesë e një ekipi me një trajnere vërtet të mrekullueshëm, Presidenten e ardhshme të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris”, tha ai.
Kamala Harris lavdëroi punën e të rinjve në Xhorxhia.
“Brezi juaj, që po angazhohet për të arritur gjithçka, që është e rëndësishme për ju, do ta çojë vendin tonë në epokën e ardhshme të asaj që ne mund të bëjmë dhe mund të bëhemi”, tha ajo.
Kandidati republikan për president Donald Trump ka kryesuar anketat në Xhorxhia gjatë pjesës më të madhe të këtij cikli zgjedhor. Por, pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara presidenciale, shumica e anketave tregojnë se kandidati republikan Donald Trump dhe demokratja Kamala Harris kanë mbështetje të barabartë në Xhorxhia.
Kandidati republikan për nënpresident, JD Vance ndodhej në Xhorxhia javën e kaluar.
"Ne do t’i realizojmë të gjitha synimet së bashku, por vetëm nëse na ndihmoni të fitojmë në Xhorxhia. Ky është një nga shtetet më të rëndësishme", tha ai.
Vance dhe Trump po bëjnë fushatë, duke u përqendruar kryesisht në ato që ata thonë se janë dështime të politikave ekonomike dhe atyre të imigracionit. Zoti Trump u tha votuesve në Xhorxhia se për këto dy dështime duhet fajësuar Kamala Harris.
"Me votën tuaj do të frenohet rrija e inflacionit dhe do të dëbohen emigrantët e paligjshëm. Nuk duhet të lejojmë hyrjen e tyre në vend. Demokratët pretendojnë se gjatë qeverisjes së tyre gjendja në kufi ka qenë shumë e mirë. Por, nën drejtimin e tyre ne kemi pasur kufirin më të keq në historinë e botës”, tha ai.
Përpjekja e ish Presidentit Trump për të fituar mbështetjen e votuesve republikanë në Xhorxhia është ndërlikuar nga kritikat vazhdueshme të tij ndaj guvernatorit republikan popullor të këtij shteti, Brian Kemp, i cili u rizgjodh në këtë post dy vjet më parë. Ai fitoi pavarësisht një sfide paraprake ndaj tij të mbështetur nga zoti Trump. Në fillim të këtij muaji, zoti Trump fajësoi vazhdimisht guvernatorin Kemp dhe Sekretarin e Shtetit, Brad Raffensperger për humbjen e tij në këtë shtet në zgjedhjet e vitit 2020.
"Raffensperger dhe Brian Kemp, guvernatori juaj, që unë e ndihmova të zgjidhej në këtë post më kanë dëmtuar. Pa ndihmën time ai nuk do të ishte guvernatori juaj. Mendoj se të gjithë e dinë këtë. Ai është një person shumë i pabesë”, tha ai.
Duke marrë parasysh ndryshimet në anketat e fundit në Xhorxhia, ish presidenti Trump ndryshoi qëndrim dhe e falënderoi guvernatorin Kemp për të gjithë "ndihmën dhe mbështetjen e tij në Xhorxhia". Guvernatorit Kemp ra dakort të organizonte një aktiviteti për mbledhje fondesh për zotin Trump në Atlanta.
Një juri e madhe në Xhorxhia e ka paditur zotin Trump dhe disa nga aleatët e tij për përpjekjet e tyre për të ndërhyrë ilegalisht në rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Avokatët e zotit Trump këtë javë dorëzuan sërish një apel për rrëzimin e këtyre akuzave. Gjyqi për këtë çështje nuk pritet të fillojë para zgjedhjeve të nëntorit.
Bordi elektoral shtetëror i Xhorxhias miratoi të hënën rregulla të reja, që kritikët thonë se mund të pengojnë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit në këtë shtet. Dy anëtarë të bordit votuan kundër ndryshimit. Tre anëtarët e bordit që e miratuan atë, u përshëndetën nga zoti Trump këtë muaj, i cili i quajti ata persona "të fortë që luftojnë për ndershmëri, transparencë dhe fitore".