Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i aplikacionit “Telegram”, miliarderi ruso-francez Pavel Durov u arrestua të shtunën në mbrëmje në aeroportin Bourget pranë Parsit, njoftuan mediat franceze, duke cituar burime të paidentifikuara.
Sipas rrjetit TF1, zoti Durov po udhëtonte me avionin e tij privat dhe ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti në kuadër të një hetimi paraprak të autoriteteve të rendit.
Sipas dy televizioneve franceze, hetimi ishte përqëndruar tek mungesa e kontrollit dhe mbikqyrjes në rrjetin Telegram dhe se policia vlerësonte se për pasojë, nuk është bërë i mundur frenimi i aktivitetit kriminal në rrjetin e mesazheve. Sipas mediave franceve, zoti Durov mund të përballet me ngritje akuzash të dielën.
Rrjeti i koduar Telegram, që ka thuajse një miliard përdorues, ka ndikim veçanërsht në Rusi, Ukrainë dhe republikat e ish Bashkimit Sovjetik. Telegram renditet si një nga platormat më të mëdha pas Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe Wechat.
Rrjeti Telegram nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë së lajmeve Retuers për koment. Ministria e Brendshme e Francës dhe policia nuk kanë bërë deklarata. Pavel Durov, i lindur në Rusi, dhe i vëllai i tij themeluan rrjetin Telegram në 2013. Ai u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat e qeverisë për të mbyllur grupet kritike në platformën e tij të mediave sociale VKontakte, të cilën e shiti.
“Më mirë të jem i lirë sesa të marr urdhra nga kushdo”, i tha zoti Durov gazetarit amerikan Tucker Carlson në prill.
Pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, rrjeti Telegram është bërë burimi kryesor i informacionit të pakontrolluar dhe shpesh të pasaktë, për të dyja palët në luftë si dhe aktorëve politikë të konfliktit.
Platforma është shndërruar në atë që disa analistë e cilësojnë një “fushë beteje virtuale”, e përdorur gjerësisht nga Presidenti Volodymyr Zelenskiy dhe zyrtarët e tij, si edhe nga qeveria ruse.
Rrjeti Telegram, që lejon përdoruesit t’i shmangen kontrollit zyrtar është kthyer në një nga burimet e pakta ku rusët mund të kenë qasje ndaj informacionit të pavaruar rreth luftës, pasi Kremlini shtoi kufizimet dhe kontrollin ndaj mediave të pavarura pas agresionit në Ukrainë.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ambasada e saj në Paris po kërkonte qartësi mbi situatën rreth zotit Durov dhe u bëri thirrje organizatave jo qeveritare perëndimore që të kërkojnë lirimin e tij.