Japonia së shpejti do të ketë një udhëheqës të ri ndërsa Kryeministri Fumio Kishida njoftoi javën e kaluar se nuk do të kërkojë të rizgjidhet në votimet e shtatorit për drejtimin e Partisë Liberale Demokratike në pushtet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Tokio, Henry Ridgewell, Kryeministri Kishida u përpoq të rriste aftësitë e Japonisë në fushën e sigurisë mes kërcënimeve rajonale në rritje. Por a do t’i vazhdojë kryeministri i ardhshëm këto përpjekje?
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri japonez në largim, Fumio Kishida, shënoi 79-vjetorin e humbjes së vendit të tij në Luftën e Dytë Botërore më 15 gusht. Zoti Kishida tha se Japonia nuk duhet "të përsërisë më kurrë shkatërrimin e luftës". Fjalimi i tij pasqyroi gjithashtu ndryshimin e rolit të Japonisë në skenën botërore.
“Japonia do të bëjë gjithçka për të zgjidhur sfidat e ndryshme me të cilat përballet bota”.
Zoti Kishida u përpoq të transformonte qëndrimin mbrojtës të Japonisë. Ai paralajmëroi se ajo që po ndodh në Ukrainë sot mund të ndodhë në Azi nesër. Udhëheqësi japonez ka krijuar lidhje të ngushta me Kievin, duke e vizituar atë në vitin 2023, përpara se të priste Presidentin Zelenskyy në Hiroshima në takimin e vendeve të G7.
Programi i zotit Kishida synon dyfishimin e shpenzimeve të mbrojtjes deri në vitin 2027, zhvillimin e aleancave të ngushta rajonale dhe përmirësimin e komandës ushtarake amerikane në Japoni.
Pasardhësi i tij ka të ngjarë të vazhdojë qasjen e zotit Kishida, thotë për Zërin e Amerikës analisti Tomohiko Taniguchi.
“Për shkak të mjedisit të trazuar gjeopolitik në të cilën ndodhet Japonia. Asnjëri prej tre vendeve me armë bërthamore, Rusia, Koreja e Veriut dhe Kina, nuk kanë gjëra të përbashkëta me demokracinë e hapur. Të tre vendet po nxisin armiqësi dhe urrejtje, qëllimisht dhe përmes institucioneve, ndaj Japonisë dhe aleancës së saj me Shtetet e Bashkuara”.
Kryeministri Kishida dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, kapërcyen mosmarrëveshje historike për të krijuar një aleancë të ngushtë.
Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut riafirmuan në një deklaratë të përbashkët zotimet e tyre për të trajtuar së bashku sfidat rajonale. Zotime të marra një vit më parë në takimin historik në vendpushimin presidencial amerikan “Camp David”, pranë Uashingtonit. Por pasiguritë mbeten, thotë analisti Taniguchi.
“Presidenti Yoon e ka përfunduar gjysmën e mandatit dhe pjesa e mbetur do të jetë nën sulme të vazhdueshme nga partitë opozitare ndërsa afrohen zgjedhjet. Kritika më e lehtë e opozitës është që të thotë se qeveria aktuale është shumë e dobët në lidhje me Japoninë”.
Kryeministri i ardhshëm i Japonisë do të duhet gjithashtu të fitojë miratimin e publikut japonez, thotë për Zërin e Amerikës, Yee Kuang Heng, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Tokios.
“Mendoj se në parim, publiku e mbështet forcimin e Japonisë dhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes, por në fakt nuk janë të gatshëm të paguajnë taksa më të larta personale për ta bërë këtë”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Japoni, Rahm Emanuel, shkroi në platformën X se Kryeministri Kishida, “kishte ndihmuar në ndërtimin e një rrjeti aleancash dhe partneriteti sigurie në të gjithë rajonin Indo-Paqësor që do t'i rezistojë kohës”.
Pekini ka thënë se do të punojë me kryeministrin e ri japonez për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme mes Kinës dhe Japonisë.