Aktivistët kërkojnë bllokimin e planeve të kompanisë Shell për shitjen e filialit në Nigeri 

Nigeria Shell Sale

Aktivistët e mjedisit dhe ata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut po i bëjnë thirrje qeverisë nigeriane që të bllokojë planet për shitjen e operacioneve të kompanisë Shell në deltën e lumit Niger. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, aktivistët kërkojnë që gjigandi i naftës Shell së pari të zotohet se do të bëjë më shumë për trajtimin e ndotjes në rajon, të shkaktuar nga industria e naftës.

Your browser doesn’t support HTML5

Letonia kërkon përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën

Për dekada, kompanitë e mëdha energjetike, si Shell kanë nxjerrë naftë nga delta e lumit Niger. Kjo u ka sjellë miliarda dollarë fitime kompanive të naftës dhe qeverisë nigeriane. Por banorët janë ankuar për një kohë të gjatë për dëmet e mëdha mjedisore.

“Nuk mund të kultivojmë bimë bujqësore. Uji nuk është më i pijshëm. Nuk mund të peshkohet, pasi peshqit po ngordhin ose janë të ngordhur”, thotë Florence Kayemba nga Rrjeti Demokratik i Palëve të Interesuara.

Kompania Shell njoftoi në janar planet për tërheqjen nga delta e lumit Niger, duke ia shitur filialin e saj nigerian, licencat dhe infrastrukturën e saj minerare një konsorciumi prej pesë firmash kryesisht lokale. Kompania Shell thotë se kjo është pjesë e një plani për t'u tërhequr nga karburantet fosile.

Grupet e shoqërisë civile thonë se kompania Shell duhet të bëjë më shumë për pastrimin e mjedisit përpara se të largohet. Një raport i fundit nga organizata holandeze Qendra për Studimin e Korporatave Shumëkombëshe, paralajmëroi se plani i shitjes është një 'bombë me sahat'.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për trashëgiminë e ndotjes që ka lënë pas Shell dhe kompanitë e tjera të naftës, që janë tërhequr nga delta e lumit Niger. Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që qeveria federale t’i shqyrtojë këto çështje, sepse nafta nuk do të rrjedhë përgjithmonë”, thotë Florence Kayemba nga Rrjeti Demokratik i Palëve të Interesuara.

Por, kompanitë e naftës shpesh kanë fajësuar vjedhjet dhe sabotimet për derdhjet e naftës, një pretendim që është kundërshtuar nga organizatat e mbrojtjes së mjedisit. Banorët e këtyre zonave gjithashtu po përpiqen të fitojnë para nga prodhimi në shkallë të vogël i naftës, thotë zonja Kayemba.

“Kemi një situatë, ku përpunimi në shkallë të vogël i naftës nga banorët po përforcon argumentin mbi atë që ka ndodhur më parë. Pra, se ndotja tashmë kishte ekzistuar. Kjo i ndërlikon përpjekjet për të kuptuar se kush e ka fajin për këtë?”, thotë Florence Kayemba nga Rrjeti Demokratik i Palëve të Interesuara.

Raporti i Qendrës për Studimin e Korporatave Shumëkombëshe pretendon se kompania Shell po ua shet operacionet e saj kompanive vendase që mund të mos kenë financat, ose vullnetin për t'u marrë me infrastrukturën e vjetër.

Kompania Shell tha përmes një deklarate se programi i saj për tërheqje do t'i lejojë rregullatorët "të zbatojnë shqyrtimin e një game të gjerë çështjesh" dhe se miratimi përfundimtar është në duart e qeverisë. Firma tha se do të vazhdojë të përdorë "ekspertizën e saj teknike", sipas kushteve të shitjes për blerësit e rinj.

Qeveria nigeriane ka dhënë sinjale se synon të miratojë planet e shitjes së operacioneve të kompanisë Shell. Ministria nigeriane e Burimeve të Naftës nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.