Letonia kërkon përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën

Riga, Letoni

Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të G7-ës po gjejnë mënyra për ta ndihmuar Ukrainën me kredi të financuara nga pasuritë e ngrira të Rusisë. Ministria gjermane e Financave e njoftoi këtë iniciativë të martën. Letonia - një vend ku dikur depozitoheshin fondet ruse - tashmë është një mbështetëse e fortë e këtij plani.

Your browser doesn’t support HTML5

Letonia kërkon përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën

Jurmala, pranë kryeqytetit letonez Riga, ishte dikur një ndër pikat kryesore të pushimit për shtetasit sovjetikë me të ardhura të larta, deri në vitin 1991 kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë.

Në vazhdim, si një vend anëtar i BE-së, Letonia ofroi të ashtuquajturat viza “të arta” dhe leje qëndrimi për ata që hapnin një llogari bankare dhe investonin në pasuri të patundshme.

Vendi u bë një pikë kryesore hyrëse në BE për rusët e pasur, i tha Zërit të Amerikës Sanita Jemberga, nga Qendra Baltike për Gazetarinë Investigative.

“Njerëzit në Bashkimin Sovjetik vinin këtu; ishte si një nostalgji, dritarja drejt Evropës. Dhe në vazhdim kur filluam të shesim pronat dhe bankat. Këtu është një rrugë ku do të takonit çdo oligark rus të mundshëm, që kishte prona këtu”, thotë ajo.

Si gazetare investigative, zonja Jemberga ndjek paratë ruse në Letoni. Ajo thotë se gjatë dy dekadave të fundit, rusët kanë krijuar një vend të sigurt në bregdetin e Jurmalas.

“Le ta quajmë një Rusi e vogël, pa Putinin”, tregon ajo.

Ajo thotë se ligjet e Letonisë në atë kohë lejonin qarkullimin pa pengesa të parave ruse brenda dhe jashtë vendit. Skema vazhdoi edhe pas sulmit të Rusisë në Krime në vitin 2014.

Paulis Iljenkovs, është hetuesi kryesor për çështjet financiare në Letoni.

“Deri në vitin 2018 Letonia konsiderohej vërtet një vend i sigurt për pastrimin e parave”, i thotë ai Zërit të Amerikës.

Por zoti Iljenkovs thotë se gjërat ndryshuan në vitin 2018 pasi një raport i Komisionit Evropian akuzoi Letoninë se nuk po bënte sa duhet për të luftuar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara akuzuan gjithashtu një bankë letoneze për pastrim të institucionalizuar të parave dhe shmangie të sanksioneve.

“Pati një angazhim politik shumë të fortë për të reformuar me shpejtësi sistemin tonë financiar dhe kjo u bë me të vërtetë në një hark kohor shumë të shkurtër. Ka pasur shumë ndryshime në kuadrin legjislativ. Iu dhanë shumë burime autoriteteve kompetente për të luftuar krimin financiar”, tregon ai.

Letonia gjithashtu reformoi sektorin e saj financiar, duke krijuar Njësinë e Zbulimit Financiar, që lufton pastrimin e parave dhe zbaton sanksionet e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.

“Kemi publikuar një listë të të gjithë personave, fondet e të cilëve janë ngrirë në Letoni për shkak të sanksioneve dhe jo vetëm individë të caktuar që janë në listën e sanksioneve, por edhe entitete juridike që janë në pronësi ose kontrollohen nga këta individë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Iljenkovs.

Në Letoni janë vendosur sanksione ndaj 157 individëve dhe janë ngrirë fonde me vlerë rreth 110 milionë dollarë, thotë zoti Iljenkovs.

Pasuritë e ngrira përfshijnë shtatëdhjetë e katër prona të patundshme, përfshirë një në Jurmala në pronësi të Mikhail Fridmanit, një manjat ruso-izraelit i lindur në Ukrainë.

“Ky dikur ishte një sanatorium, që u ble nga kompania e Mikhail Fridmanit. Donin ta bënin ndoshta hotel apo godinë apartamentesh, sepse deti është vetëm 200 metra nga këtu”, thotë zonja Jemberga.

Në fillim të kësaj vere, ministrat e jashtëm të tre shteteve baltike, ndër to edhe Letonia, i kërkuan G7-ës të punojë për t’i përdorur pasuritë e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën.