Shefi i zbulimit ushtarak të Izraelit dha dorëheqjen të mërkurën ndërsa mori përgjegjësinë për dështimin e mbrojtjes së kufirit në sulmin e 7 tetorit.
Gjenerali Aharon Haliva, i cili ka shërbyer në ushtrinë izraelite që nga viti 1985, njoftoi në muajin prill se do të tërhiqet nga posti. Ai është mes disa komandantëve të lartë izraelitë që thanë se kishin dështuar të parashikonin dhe parandalonin sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit.
“Dështimi i organeve të zbulimit ishte faji im”, tha zoti Haliva gjatë ceremonisë së largimit nga posti të mërkurën ndërsa bëri thirrje për një hetim kombëtar “në mënyrë që të studiohen” dhe “të kuptohen tërësisht” arsyet që çuan në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
Sulmi i 7 tetorit njollosi rëndë reputacionin e ushtrisë izraelite dhe shërbimeve të zbulimit, që më parë shiheshin si të pamposhtura nga grupet e armatosura palestineze si Hamasi.
Në orët e para të mëngjesit të 7 tetorit, pas një sulmi intensiv me raketa, mijëra luftëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera depërtuan barrierat e sigurisë rreth Gazës, duke befasuar forcat izraelite dhe goditur komunitetet në Izraelin jugor.
Rreth 1200 izraelitë dhe të huaj u vranë në atë sulm, shumica prej tyre civilë, dhe rreth 250 u morën peng dhe u dërguan në Gazë, sipas të dhënave izraelite. Rreth 109 pengje besohet se janë ende në Gazë, rreth një e treta e të cilëve mendohet të jenë të vdekur.
Kreu i forcave të armatosura, Gjenerali Herzi Halevi dhe kreu i agjencisë Shin Bet të zbulimit, Ronen Bar, morën përgjegjësinë pas sulmit, por kanë qëndruar në detyrë gjatë luftës në Gazë.