SEUL, Kore e Jugut - Kina tha të mërkurën se është “shumë e shqetësuar” pasi New York Times njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një plan sekret për të spostuar përqëndrimin e strategjisë së tyre bërthamore nga Rusia për t’u ballafaquar me armët e shtuara bërthamore të Pekinit.
Sipas artikullit që New York Times botoi të martën në mbrëmje, Presidenti amerikan Joe Biden miratoi në mars një “udhëzim (të ri) për përdorimin e armëve bërthamore”, një dokument sekret, që përcakton se si Shtetet e Bashkuara do t’i përdornin armët bërthamore në një konflikt të mundshëm.
Sipas shkrimit, dokumenti i cili përditësohet çdo katër vjet, e riorienton strategjinë parandaluese bërthamore për t’u ballafaquar me zgjerimin e shkallës së gjerë të arsenalit bërthamor të Kinës. Dokumenti po ashtu urdhëron forcat amerikane që të bëjnë përgatitje për t’u përballur me “sfida të bashkërenduara bërthamore” nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut, sipas shkrimit.
I pyetur për njoftimin gjatë konferencës për shtyp të mërkurën, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze akuzoi Shtetet e Bashkuara se po “sajojnë teori mbi kërcënimin bërthamor të Kinës” dhe po “gjejnë justifikime me synimin për të krijuar përparësi strategjike”.
“Kina është shumë e shqetësuar nga ky njoftim i rëndësishëm dhe ka fakte të qëndrueshme se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht viteve të fundit kanë nxitur të ashtuquajtura teori për të shtuquajturin kërcënim bërthamor të Kinës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.
Rusia nuk bëri komente mbi shkrimin.
Politika bërthamore amerikane për dekada të tëra ishte e përqendruar kryesisht tek Rusia, i vetmi shtet që ka kapacitete të ngjashme bërthamore.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë shpeshtuar paralajmërimet se nën udhëheqjen e Presidentit Xi Jinping, zgjerimi i kapaciteteve bërthamore po zhvillohet më shpejt nga ç’pritej.
Sipas një dokumenti që u bë publik në fund të vitit të kaluar, Pentagoni llogarit që ushtria kineze ka mbi 500 mbushje funksionale bërthamore në arsenalin e saj dhe do të ketë mbi 100 mbushje bërthamore deri në vitin 2030.
Kjo sasi është konkurruese me Shtetet e Bashkuara, e cila në inventarin e saj ka 3,700 mbushje funksionale bërthamore, sipas Shoqatës për Kontrollin e Armatimit, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Rusia ka afro 4,380 mbushje bërthamore, përfshirë rreth 1,550 të tilla në sistemet strategjike raketore, sipas llogaritjeve të cilave iu referohet kjo organizatë.
Duke patur parasysh këto sasi, Rusia mbetet “motivuesi kryesor” i strategjisë bërthamore të Shteteve të Bashkuara, shprehej drejtori i shoqatës Daryl G. Kimball në platformën X.
Sipas zotit Kimball, shkrimi i gazetës ‘New York Times’ ekzagjeron ndryshimet e bëra më udhëzuesin për përdorimin e armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara. Ai këmbëngul se nuk po ndodh një riorientim i përparësive nga Rusia drejt Kinës.
“Megjithë zgjerimin e kapaciteteve bërthamore të Kinës, arsenali i Rusisë është shumë më i madh se i Kinës – edhe pasi të jetë realizuar plani ambicioz i zotit Xi. Deri në këtë ndryshim, fokusi do të mbetet tek arsenali i Rusisë”, deklaroi drejtori i Projektit mbi Informacionin Bërthamor pranë Federatës së Shkenctarëve amerikanë, Hans Kristensen.
“Por planifikimi kundër Kinës po rritet, siç po reflektohet në këtë dokument,” shtoi ai në platformën X.
Zyrtarët amerikanë i janë referuar këtij dokumenti mbi armët bërthamore të paktën dy herë, pa dhënë ndonjë detaj rreth përmbajtjes së tij.
Në qershor, drejtori për kontrollin e armëve bërthamore pranë Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Pranay Vaddi, tha se udhëzimi i ri “nënvizon nevojën për të ndjekur me vëmendje rritjen dhe larminë ” e arsenalit bërthamor të Kinës, si dhe nevojën për masa parandaluese në të njejtën kohë ndaj Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.
Sipas zotit Vaddi, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin një politikë për kufizimin e armëve bërthamore me Rusinë dhe Kinën, por “pa ndryshimin e trajektores në të cilën gjendet Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut”, Shteteve të Bashkuara “do t’u duhet të vazhdojnë të adaptojnë kapacitetet dhe qasjen e tyre për t’u siguruar që të kemi aftësinë për të parandaluar dhe për t’i përmbushur synimet tona të tjera në të ardhmen.”
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë flasin shpesh mbi rreziqet e luftës bërthamore, por përpjekjet për të zhvilluar një dialog për këtë çështje kanë dështuar.
Vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë dhe kinezë ranë dakord të mbajnë negociata mbi kontrollin e armëve bërthamore, para takimit midis presidentëve Biden dhe Xi. Por Kina pezulloi bisedimet muajin e kaluar, duke iu referuar si arsye shitjes së armëve amerikane Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron pjesë të tij.
Shumë analistë janë gjithashtu të shqetësuar për bashkëpunimin e shtuar ushtarak dhe diplomatik ndërmjet Rusisë dhe Kinës. Në vitin 2022, presidentët Xi dhe Vladimir Putin ranë dakord për një partneritet “të pakufizuar” dhe së fundmi i kanë zgjeruar stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe në fusha të tjera.
Në fillim të këtij viti, Rusia iu rikthye një traktati dypalësh të mbrojtjes së dyanshme të kohës së Luftës së Ftohtë me Korenë e Veriut, e cila është e pajisur me armë bërthamore. Dy vendet po ashtu janë treguar të interesuara ta zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Që prej sulmit ndaj Ukrainës në vitin 2022, Presidenti rus Putin vazhdimisht ka paralajmëruar se do të përdorë armë bërthamore ndaj forcave ukrainase, të mbështetura nga Perëndimi.