Shqipëri, fermerët e vegjël sfidojnë vështirësitë për të mbështetur turizmin

  • Raimond Kola

Ferma ne Shqiperi

Shumë fermerë në Shqipëri po krijojnë ferma të vogla afër segmenteve të rrugëve kombëtare për të tregëtuar prodhimet e tyre kryesisht për turistët vendas dhe të huaj. Sipas ekspertëve të ekonomisë sektori bujqësor dhe ai blegtoral vendas po e mbështesin këtë vit jo në nivelin e pritshëm sektorin tursitik për shkak se mbizotërojnë prodhimet e importit.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, fermerët e vegjël sfidojnë vështirësitë për të mbështetur turizmin

Në një sipërfaqe prej gati pesë dynimësh në segmentin e rrugës së re Kardhiq - Delvinë, Bajram Duro ka ngritur një fermë të vogël për prodhimin e frutave dhe e perimeve ku gjatë gjithë ditës nuk rreshtin turistët.

"Kur toka u nda pas përmbysjes së komunizmit nuk e merrte asnjënjeri se s'kishte ujë, e mora unë dhe është fati im tani" , thotë Bajrami.

"Kur u ndanë tokat nuk dilte asnjë ta merrte këtë tokë se i donin nën ujë që të vaditeshin. Këtu nuk kishte ujë. Edhe thashë do ta marr unë. Me një mendim që nëse do të dështoja në kultivimin e tokës me perimet kam pyllin përreth dhe do të merrja disa dele dhe dhi që ta ndihmoja familjen që të mos dilja fare i humbur. Megjithatë pata sukses, fati im dhe i familjes”, tregon ai për Zërin e Amerikës.

Familja e Bajramit ka 33 vite që merret me prodhimin e perimeve, por dy vitet e fundit me përfundimin e rrugës Kardhiq Delvinë kjo fermë e vogël nisi të rritet dhe të presë vizitorë.

"Ne kemi 33 vite që merremi me perime si familje. Kemi bërë edhe punë të tjera kur nuk kemi pasur punë, por kryesisht merremi me shitjen e perimeve", tregon ai.

Ky vit thotë më tej Bajrami nuk nisi mirë, por më pas dalja në treg e frutave dhe perimeve solli interesin e turistëve.

"Këtu kam dy vjet që po prodhojmë dhe shesim. Më parë nuk ishte rrugë dhe vinte ndonjë kalimtar i rrallë apo me kuaj. Ky vit nuk filloi mbarë se e hapm si sezon para kohe me qepën e njomë dhe me hudhrën dhe lakrat e buta që mbillen kryesisht por nuk i tërhiqte shumë njeërzit. Tani që dolën perimet dhe frutat dhe kalojnë shumë pushues për Sarandë ka interes të madh”, tregon ai.

Turistë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë klientët e pëlqyer të Bajramit pasi blejnë me sasi të mëdha ndërsa turistë nga disa vende perëndimore, sic thotë ai "blejnë me kokrra".

"Turistët nga Kosova dhe Maqedonia blejnë shumë. Edhe vendasit kthehen këtu, ndërsa turistët e huaj nga vendet perëndimore si francezë, italianë, anglezë bëjnë tregëti më të dobët. Marrin dy speca, një patëllxhan, një kokërr domate”.

Bajrami thotë se nuk përdor pesticide dhe turistët mund t'i shijojnë duke i vjelë prodhimet ndonëse kjo i sjell atij humbje për shkak të dëmtimit nga insektet.

"Nuk përdorim pesticide dhe kemi humbje të madhe. Si e sheh dhe vetë njerëzit futen, vjelin dhe hanë ndonjë nga prodhimet në degë. Nëse do përdor helmin mund të më mbetet ndonjëri atje. Sa të vijë ndonjëri dhe të më bëjë lapidar (të më vrasë) më mirë le të hidhen poshtë 10 kuintalë domate", tregon ai.

Bajrami thotë se bujqësia është shumë e vështirë në Shqipëri pasi nuk gëzon mbështetje me sumbvencione nga shteti dhe kur e pyet se sa orë në ditë punon ai përgjigjet:

“Punojmë me shumë vështirësi. Se mos flemë dhe natën pa le dhe ditën. 24 orë në punë si familje, po lehu qeni jemi në këmbë gati.”

Bajrami ka ruajtur farërat e perimeve dhe frutave që përdoreshin që në vitet gjatë komuznimit në Shqipëri por thotë se ato po shkojë drej degradimit.

"Unë vetëm me farërat doja të më ndihmonin. Kam ruajtur farërat që në kohën e socializmit, të kooperativës. Po ato vendë drejt degradimit sepse janë futur farëra të tjera dhe i bën bleta tani përmes pllenimit as të buta dhe as të egra", tregon ai.

Kastraveci dhe domatja janë më të kërkuarat në fermën e vogël.

“Sikur të kem edhe një tonë në ditë ato shiten", thotë Bajrami.

Sipas ekspertëve të ekonomisë ndërsa prurjet turistike po rriten ndjeshëm në Shqipëri sektori vendas bujqësor dhe blegtoral nuk po e luan rolin e pritshëm në mbështetjen e këtij sektori.

Kjo pasi prodhimet vendase të perimeve dhe frutave konkurohen ndjeshëm nga importet.

Sipas të dhënave zyrtare importet e perimeve për 6 muajt e parë të këtij viti janë rritur me 43.5%, ndërsa importet e frutave janë rritur me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një probem tjetër thonë fermerët e vegjël është vështirësia e depërtimit në tregun vendas për shkak të kostove të transportit.

Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri vuri nën hetim mesin e këtij vit dhjetëra grumbullues në disa rajone të mëdha të vendit si Tiranë, Elbasan dhe Fier pasi abuzuan me çmimet e fruta perimeve duke i shtrenjtuar deri në 100% karahasuar me cmimet që i merrnin prodhimet nga fermerët.