Shqipëria vazhdon të përballet gjatë fundjavës me të paktën 10 zjarre të forta në malet e larta të saj gjatë gjithë territorit; si mali i Tomorri, Mali i Thatë dhe Mali i Tërnovës. Një seri forcash ushtarake dhe pushteti vendor po përpiqen të shuajnë zjarret nga toka dhe nga ajri. Autoritetet kanë angazhuar mbi 900 ushtarë, policë, vullnetarë e zjarrfikës, ndërsa kanë ardhur në ndihmë dy avionë nga Rumania me ekipet përkatëse të mbajnë nën kontroll situatën.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Shqipëri autoritetet qendrore dhe vendore kanë shuar gjatë fudnjavës disa dhjetëra zjarre të mëdha e të vogla në të gjithë territorin, ku u regjistruan 44 varta zjarri.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha sot për mediat se mbi 900 trupa u angazhuan për shuarjen dhe izolimin e vartrave të zjarrit në gjithë vendin, të ndihmuar edhe nga ekipet rumune me dy avionë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 44 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat 34 janë shuar plotësisht dhe janë vënë nën kontroll. U bë një punë e jashtëzakonshme e zjarrfikësve dhe strukturave të tjera në situatën e krijuar në Dushkarak dhe Rexhepaj të bashkisë Selenicë, në Cerilë të Mallakastrës, ku rreziku ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha zoti Çako.
Këtyre pëpjekjeve iu bashkuan krahas forcave ajrore shqiptare, edhe dy avionë nga Rumania me ekipet përkatëse të specializuara në betejën me zjarret nga ajri, ndërsa nga toka u përfshinë qindra zjarrfikës, ushtarë, policë, vullnetarë, shërbimi pyjor dhe mbrojtja civile.
Një ditë më parë u shënuan në Shqipëri 29 vatra zjarri nga të cilat u shuan 15, ndërsa vazhduan të jenë aktive zjarret në Tomorr, në Prespë, dhe Bulqizë. Krahas shuarjes së zjarreve, policia ka vazhduar punën për arrestimin e autorëve të tyre, që kanë rrezikuar jetën e qytetarëve, pronat, mjedisin dhe vlerat kulturore historike në disa territore.
“Ndërkohë 10 vatra zjarri të tjera mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje nga strukturat operacionale. Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, Malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bolotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara dhe ku po punohet fort nga strukturat”, tha zoti Çako.
Autoritetet vlerësojnë se shumica e zjarreve në zonat e banuara janë rezultat i akteve të papërgjegjshme të fermerëve me ndezjen dhe mosadministrimin e zjarreve, krahas rasteve me qëllime kriminale.
Një mori zjarresh nisin çdo vit këtë stinë në Shqipëri nga Tropoja, Shkodra, Dibra, Lezha, e deri në Vlorë, Skrapar e Dropull, veçantia e të cilave është jo vetëm fuqia e madhe e tyre ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era, por edhe terreni tejet i vështirë malor, që e bën të pamundur shuarjen e tyre me automjete tokësore.