Shefi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Syrskyi tha të premten se forcat e Kievit po përparonin nga një deri në tre kilometra në disa zona në rajonin e Kurskut, 11 ditë pas fillimit të një inkursioni në Rusi.
Kievi pretendon se ka marrë kontrollin e 82 vendbanimeve në një sipërfaqe prej 1,150 kilometrash katrorë në rajonin rus të Kurskut që nga 6 gushti. Ministria e Jashtme e Ukrainës e cilësoi këtë një tejkalim të madhësisë së territorit, që Rusia ka pushtuar në Ukrainë këtë vit.
Duke informuar presidentin Volodymyr Zelenskyy përmes një video lidhje, gjenerali Syrskyi raportoi për luftime në zonën e Malaja Loknjas, rreth 11.5 kilometra nga kufiri ukrainas. Ai tha se shpresonte se luftimet atje do të lejonin ushtrinë e Kievit të kapte "shumë të burgosur".
"Në operacionin tonë në rajonin e Kurskut, ne po forcojmë pozicionet tona dhe po rimbushim "fondin e këmbimit" për Ukrainën", tha zoti Zelenski në një postim në platformën X pas raportit të gjeneralit Syrskyi.
Zyrtarët e Kievit thanë se të paktën qindra trupa ruse ishin zënë robër, duke shprehur shpresën se kjo do të përshpejtonte shkëmbimin e tyre me luftëtarë ukrainas, të rrëmbyer nga forcat ruse.
Rusia e ka quajtur inkursionin një "provokim të madh" dhe është zotuar se do të hakmerret me një "përgjigje të denjë", më shumë se 2 vjet pas fillimit të operacionit në shkallë të gjerë kundër fqinjit të saj më të vogël.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha të premten se trupat e saj zmbrapsën sulmet ukrainase në disa zona, duke përfshirë ato afër fshatrave Gordeevka, Russkoe Porechnoe dhe të tjera.
Presidenti Zelenski përshëndeti humbjet e Rusisë në rajonin e Kurskut, duke i cilësuar ato si "shumë të dobishme" për mbrojtjen e Ukrainës.
"Kjo ka të bëjë me shkatërrimin e logjistikës së ushtrisë ruse dhe shterimin e rezervave të saj", tha ai në fjalimin e mbrëmjes.
Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk tha në një postim në platformën Telegram se aviacioni ishte një pjesë aktive e operacionit, duke vënë në shënjestër rrugët e furnizimit dhe qendrat logjistike të armikut.
Ai postoi një video me pamje të godites së një ure.
Guvernatori rajonal i Kurskut, Alexei Smirnov tha se Ukraina kishte shkatërruar një urë rrugore mbi lumin Sejm në distriktin Glushkovski të rajonit.
Objektivi në Lindje
Luftimet më të ashpra, megjithatë, ishin duke vazhduar në lindje të Ukrainës, ku trupat ruse për muaj të tërë po përparonin drejt qendrës strategjike të Pokrovskit.
Analistët thanë se shpërqendrimi i forcave ruse nga lindja ishte një nga qëllimet e operacionit të Ukrainës në rajonin rus të Kurskut. Por deri më tani nuk ka asnjë shenjë ndërprerjeje luftimesh në lindje.
Forcat ruse ndodhen 10 kilometra larg qytetit të Pokrovskit dhe rreth 6 kilometra nga qyteti i afërt i Mijnohradit, sipas zyrtarëve lokalë.
"Nëse objektivi ishte të devijonte përpjekjet ruse nga Donbasi, ai ka dështuar deri më tani", tha Yohann Michel, një ekspert ushtarak francez dhe studiues në Institutin IESD në Lion të Francës.
Ai tha se Kievi po synonte të maksimizonte efektin e ofensivës në Kursk, ndërsa Rusia po përpiqej të bënte të njëjtën gjë në lindje të Ukrainës.
Presidenti Zelenski tha se Ukraina nuk po harronte "për asnjë sekondë" lindjen dhe premtoi furnizime të reja për të forcuar pozicionet e ushtrisë ukrainase atje.