Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit kryesorë rajonalë Egjipti dhe Katari po shtojnë përpjekjet për të nxitur Izraelin dhe Hamasin të arrijnë një marrëveshje armëpushimi. Raundi i ri i bisedimeve është parashikuar të mbahet sot në Doha.
Your browser doesn’t support HTML5
Banorët e Gazës u dhanë lamtumirën e fundit familjarëve të tyre të vrarë nga sulmet izraelite, që kanë vazhduar që nga sulmi terrorist i 7 tetorit, i kryer nga Hamasi, mes përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve rajonale për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
Bisedimet pritet të mbahen të enjten në kryeqytetin e Katarit, Doha. Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, ka dhënë sinjale se nuk do të marrë pjesë në bisedime.
“Presim nga ndërmjetësuesit të na njoftojnë se Izraeli e ka pranuar ofertën. Çdo takim i radhës duhet të ketë në qendër mekanizmat zbatues dhe përcaktimin e afateve dhe jo zhvillimin e negociata për aspekte të reja,” thotë zyrtari politik i Hamasit, Osama Hamdan.
Të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre këmbënguli se Shtetet e Bashkuara kanë besim se do të ketë bisedime.
“Gjithmonë para bisedimeve ka pozicionim të palëve. E kemi parë këtë gjë më parë, nuk është gjë e re,” tha ajo.
Por për Presidentin Joe Biden paqja mbetet e pakapshme.
“Po bëhet gjithnjë e më vështirë. Duhet të shohim se çfarë do të bëjë Irani dhe të shohim se çfarë do të ndodhë nëse sulmojnë. Por unë nuk dorëzohem,” deklaroi ai.
Ekzistojnë shqetësime që Irani do të sulmojë Izraelin pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, Ismail Hanije në tokën iraniane. Izraeli nuk ka marr përgjegjësi për vrasjen, por besohet gjerësisht se ai e kreu sulmin.
Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë e tyre ushtarake në rajon si masë parandaluese ndaj Iranit dhe grupeve të tjera të lidhura me të, siç është organizata Hezbollah.
Hezbollahu ka intensifikuar sulmet nga Libani përgjatë kufirit në Izrael.
I dërguari i Presidentit Biden, Amos Hochstein qëndroi në Bejrut të mërkurën.
“Nuk kemi kohë për të humbur dhe asnjëra palë nuk ka më justifikime për vonesa,” deklaroi ai.
Palët fajësojnë njëra tjetrën për ngërçin.
“Hamasi po vazhdon të vendosë kushte të reja dhe po refuzon arritjen e një marrëveshjeje,” tha zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer.
Ndërkohë, analistët thonë se Presidenti Biden duhet t’i bëjë më shumë trysni Izraelit.
“Nëse ai i thotë Netanyahut që mbaron me kaq, se kushdo që vjen pas tij, qoftë Presidentja Harris, apo Presidenti Trump, nuk do t’i bëjnë më lëshime si deri tani. Andaj ka ardhur koha t’i japë fund dhe të fillojë një epokë e re,” thotë analistja nga Universiteti 'Johns Hopkins', Laura Blumenfeld.
Kjo epokë e re parasheh integrimin rajonal të Izraelit në këmbim të krijimit të shtetit palestinez. Por arritja e këtij qëllim duket ende e largët. Armëpushimi në Gazë mbetet hapi i parë, tani për tani i paarritshëm.