Arrestohet në Moskë një shtetas amerikan nën dyshimet për sulm ndaj policisë

  • VOA

Policia ruse ka arrestuar në Moskë një shtetas amerikan, për siç thuhet sulm ndaj një punonjësi të rendit, thanë hetuesit të mërkurën. Agjencia ruse e lajmeve, Interfax tha se incidenti ndodhi të hënën. Komiteti Hetues i Rusisë tha se personi në fjalë u dërgua në një stacion policie të hënën vonë.

I dyshuari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, thuhet se refuzoi të paraqiste kartën e identitetit dhe më pas sulmoi një polic.

“Natën e 12 gushtit 2024, një shtetas amerikan u dërgua në një stacion policie në Moskë për akte huliganizmi”, tha Komiteti Hetues në një deklaratë. “I dyshuari refuzoi të paraqiste kartën e identitetit dhe më pas ushtroi dhunë ndaj një punonjësi të zbatimit të ligjit”.

Arrestim vjen pas lirimit të gazetarit amerikan Evan Gershkovich, ish-marinsit amerikan Paul Whelan dhe 14 të tjerëve në një shkëmbim të burgosurish midis një numri vendesh perëndimore dhe Rusisë.

Një numër shtetasish amerikanë dhe nga vende të tjera perëndimore ndodhen në burgjet ruse nën akuza të ndryshme. Shtetasi i paidentifikuar amerikan përballet me deri në pesë vjet burg sipas ligjit rus. Hetuesit planifikojnë t'i kërkojnë gjykatës ta mbajë atë në paraburgim derisa të ngrihen akuzat.

Disa të dhëna për këtë lajm u morën nga Agence France-Presse dhe Reuters.