UASHINGTON – Që kur zëvendësoi Presidentin Joe Biden si e emëruara demokrate për presidente, Nënpresidentja Kamala Harris me shpejtësi ka konsoliduar përkrahjen dhe i ka dhënë energji fushatës për të cilën shumë nga udhëheqësit demokratë ishin të shqetësuar.
Zonja Harris siguroi votat e 4,567 delegatëve – apo 99 për qind të delegatëve pjesëmarrës - duke fituar emërimin e partisë në një votim virtual që u mbajt këtë muaj.
Fushata, krahas Komitetit Kombëtar Demokrat dhe komiteteve të tjera të përbashkëta për mbledhje fondeve, grumbulloi një shumë historike prej 310 milionë dollarësh në korrik, duke tejkaluar përpjekjet e të emëruarit republikan, ish-Presidentit Donald Trump për të mbledhur fonde gjatë atij muaji. Mbi 200 milionë dollarë për fushatën e zonjës Harris u mblodhën gjatë javës së parë të kandidaturës së saj.
“Kemi parë një rritje të mbështetjes, një nivel përkrahjeje nga baza – si në aspektin organizativ ashtu edhe atë të mbledhjes së fondeve – që sjell fitore në zgjedhje,” thotë zëdhënësi i fushatës së zonjës Harris, Kevin Munoz.
Optimizmi për fushatën po pasqyrohet në anketa. Pas një sërë anketash që e nxorën me paraqitje të fuqishme në Pensilvani, Miçigan dhe Viskonsin, zonja Harris tani ka 55 për qind të gjasave të fitojë, thotë analisti i të dhënave zgjedhore, Nate Silver.
Ai kishte parashikuar se zoti Biden kishte 27 për qind gjasë për të fituar në kohën kur ishte kandidati demokrat për president.
Megjithatë, fushata e zotit Trump këmbëngul që çështjet thelbësore të fushatës nuk kanë ndryshuar.
“Fakti që demokratët shkarkuan një të emëruar dhe po e zëvendësojnë me një tjetër NUK e ndryshon pakënaqësinë në mesin e votuesve mbi ekonominë, inflacionin, kriminalitetin, çështjet e kufirit të hapur, koston e shtëpive e të mos flasim për shqetësimet rreth dy luftërave të huaja,” shkroi në një dokument anketuesi i fushatës së zotit Trump, Tony Fabrizio.
“Muaji i mjaltit” i zonjës Harris do të përfundojë së shpejti, thotë ai. “Ndonëse anketat publike mund të ndryshojnë në afat të shkurtë dhe ajo mund të arrijë të konsolidojë pak bazën demokrate, Harris nuk mund të ndryshojë faktin se kush është dhe çfarë ka bërë.”
Ndonëse çështjet thelbësore mund të mos kenë ndryshuar, diskutimi për to “po lihej në hije nga shqetësimet rreth moshës së zotit Biden dhe aftësisë së tij mendore,” thotë drejtori i Qendrës për Politika pranë Universitetit të Virxhinias, Larry Sabato.
“Donald Trump ka arritur në shkallën më të ulët të popullaritetit dhe tani po përballet me një kundërshtare që është shumë më e pëlqyeshme,” deklaroi ai për Zërin e Amerikës. “Demokratët janë rikthyer në lojë.”
Anketa e re: Amerikanët vlerësojnë kandidaten Harris për sinqeritet dhe disiplinë krahasuar me kandidatin Trump
Sipas një ankete të re të realizuar nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra për Hulumtim të Çështjeve Publike NORC, kandidatja Harris konsiderohet më e sinqertë, më e përkushtuar ndaj demokracisë dhe më e disciplinuar krahasuar me rivalin e saj republikan Donald Trump. Por dy kandidatët gëzojnë një nivel të ngjashëm mbështetjeje mes votuesve lidhur me vizionin e tyre, qëndrueshmërisë dhe aftësisë për të menaxhuar krizat.
Gati gjysma e amerikanëve thonë se zonjës Harris i përshtaten më shumë përcaktimet si “më e angazhuar për demokracinë” dhe “e disiplinuar”. Rreth 4 në 10 amerikanë thonë se zonja Harris është e interesuar “për mirëqenien e njerëzve të thjeshtë” ndërsa rreth 3 në 10 e thonë këtë gjë për zotin Trump.
Zonja Harris, sipas anketës, kryeson krahasuar me zotin Trump në çështjet që lidhen me problemet racore dhe pabarazinë, politikat e abortit dhe kujdesit shëndetësor. Ndërkohë zoti Trump, sipas një numri pak më të madh të votuesve amerikanë, është në pozitë më të mirë për ta menaxhuar ekonominë dhe çështje e emigracionit.
Rreth 45 për qind e amerikanëve besojnë se zoti Trump do ta menaxhonte më mirë ekonominë, krahasuar me 38 për qind që janë të mendimit se zonja Harris do ta ketë këtë aftësi.
Shtetet vendimtare
Në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet nuk përcaktohen nga fitorja e votave, por nga votat e kolegjeve elektorale, të cilat përcaktohen përafërsisht në përpjestim me popullatën. Në të gjitha shtetet, me përjashtim të dy prej tyre, kandidati që merr më shumë vota në një shtet, i fiton të gjitha votat e kolegjeve elektorale.
Ekipi i zonjës Harris po investon shumë në infrastrukturën e fushatës, duke hapur zyra të reja, duke punësuar punonjës të rinj dhe duke angazhuar dhjetëra mijëra vullnetarë në ato që konsiderohen shtete të pavendosura dhe që mund të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2024 – Miçigan, Uiskonsin, Pensilvani, Nevadë, Arizonë, Karolinë e Veriut dhe Xhorxhia.
Në vitin 2020, fitorja në këto shtatë shtete u sigurua nga një diferencë prej 3 përqind ose më pak. Aktualisht, zonja Harris del pak më lart në anketa, por sërish brenda kufirit statistikor të gabimit në Pensilvani dhe Viskonsin. Zoti Trump kryeson në Miçigan, Nevada, Arizona dhe në Karolinën e Veriut. Ai po ashtu është përpara edhe në Xhorxhia.
Sipas strategjistes demokrate, Julie Roginsky, si për zotin Trump edhe zonjën Harris do të jetë e vështirë të fitojnë në zgjedhje, nëse nuk sigurojnë fitore në Pensilvani. Pensilvania ka gjithsej 19 vota të kolegjit electoral, numrin më të lartë nga të gjitha shtetet e lëkundura.
“Nëse humbin në këtë shtet, atyre do t’u duhet të fitojnë në shumicën e shteteve të tjera, në mos në të gjitha. Ato përfshijnë Arizonën, Viskonsin, Xhorxhia, Miçiganin dhe Karolinën e Veriut,” i tha zonja Roginsky Zërit të Amerikës.
Një kandidat duhet të sigurojë të paktën 270 nga 538 votat e kolegjit elektoral për të fituar. Kjo do të thotë se kandidatit i duhet të fitojë më shumë vota të kolegjit elektoral se rivali i tij, thotë profesorja e shkencave politike Kelly Dittmar pranë Universitetit Rutgers.
“Fitorja në shtetet e diskutueshme me një numër të lartë të votave të kolegjit elektoral, si në Miçigan dhe Pensilvani – të dyja këto shtete ku demokratët së fundmi kanë fituar në nivel shteti dhe ku zoti Biden korri fitore në vitin 2020 – janë një rrugë e qëndrueshme përmes të cilës zonja Harris mund të tregohet e suksesshme,” thotë zonja Dittmar.
Në Miçigan, një shtet me popullatë të madhe arabo-amerikane, zonjës Harris ende i duhet të bindë mbi 100 mijë njerëz, të cilët vazhdojnë të jenë të zemëruar me përkrahjen e fuqishme që administrata e zotit Biden i ka dhënë Izraelit. Ata u deklaruan si “të papërcaktuar” në zgjedhjet paraprake. Tridhjetë anëtarë të së ashtuquajturës Lëvizja Kombëtare e të Papërcaktuarve kanë siguruar vende si delegatë në Kuvendin Kombëtar Demokrat që mbahet në Çikago javën e ardhshme.
Zonja Harris i duhet të përballet me lëvizjen “Ta braktisim Biden-in” për shkak të së njejtës kauzë.
“Po kërkojmë që të mos votohen ata që përkrahin apo mbështeshin atë që po ndodh aktualisht në Gazë,” i tha Zërit të Amerikës zëdhënësi i kësaj lëvizjeje, Hudhayafah Ahmad. “Thënë haptazi, kjo vlen për (kandidatët) Kamala Harris dhe Donald Trump”.
Inflacioni dhe emigracioni
Ndërkohë që entusiazmi tek demokratët është rritur, zonja Harris duhet t’i japë përgjigje zemërimit të votuesve për shkak të inflacionit të lartë, një problem për të cilin republikanët fajësojnë administratën e dyshes Biden dhe Harris.
Më herët, zoti Trump kishte një epërsi në mesin e votuesve përsa u përket çështjeve të rëndësishme ekonomike, Disa anketa tregojnë se amerikanët janë të mendimit që do të kenë një gjendje më të mirë financiare nën qeverisjen e zotit Trump sesa atë të Biden-it.
Megjithatë, një anketë e gazetës ‘Financial Times’ dhe Universitetit të Miçiganit, e botuar këtë javë, arriti në përfundimin se 41 për qind e të anketuarve besojnë se zoti Trump do ta menaxhojë më mirë ekonominë, ndërkaq 42 për qind besojnë se zonja Harris do të tregohet më e aftë – një shifër shtatë pikë më e lartë se shifrat për zotin Biden në muajin korrik.
Çështja e emigracionit është një pikë tjetër e dobët për zotin Biden dhe në këtë drejtim edhe për zonjën Harris. Fushata e zotit Trump ka bërë përpjekje që ta portretizojë atë si “përgjegjëse për kufirin”, me përgjegjësi për “pushtimin” siç shprehen ata, të emigrantëve nga Amerika Qendrore që po futen në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit me Meksikën.
Fushata e saj tani po synon ta prezantojë kandidaten si dikush që është pro-emigracionit por të rreptë përsa i përket zbatimit të ligjit, duke e vënë theksin tek identiteti i zonjës Harris si një vajzë e një çifti emigrantësh dhe përvojën e saj si ish prokurore e përgjithshme e Kalifonisë, shtetit me numrin më të madh të emigrantëve.
“Isha prokurore publike e një shteti kufitar,” tha zonja Harris gjatë një tubimi zgjedhor së fundmi në Arizonë, një shtet i diskutueshëm ku emigracioni është njëra prej çështjeve më të rëndësishme për votuesit. “I kam ndjekur penalisht bandat ndërkombëtare, kartelet e drogave dhe trafikantët e qenieve njerëzore. I ndoqa penalisht rast pas rasti, dhe fitova.”
A do të fitojë ajo në nëntor?
Në një garë kaq të ngushtë në një ambient politik që ndryshon vazhdimisht, analistët rezervohen të thonë se një nga kandidatët e ka siguruar fitoren.
Ekipi i fushatës së zonjës Harris thotë se beson që kjo do të jetë një garë shumë e ngushtë zgjedhore, fituesin e së cilës do ta vendosë një numër i vogël votuesish, të shtrirë vetëm në disa shtete.
Megjithë mobilizimin dhe pozitave të forcuara të fushatës së zonjës Harris, sipas zëdhënësit të saj Munoz, “ne nuk marrim asnjë gjë si të mirëqenë.”
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve ‘The Associated Press’.