Organizata ndërkombëtare e ruajtjes së natyrës “EuroNatur” dhe partnerët e saj në vendet e Ballkanit shprehën përmes një deklarate të përbashkët për shtyp të hënën shqetësimin se gjuetia e paligjshme e Thëllëzës po shkakton humbjen e këtij lloji të rrezikuar të zogjve.
Sipas organizatave vlerësohet se të paktën 160,000 thëllëza vriten në mënyrë të paligjshme çdo vit në Serbi, Mal të Zi, Kroaci, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë dhe kjo përbën rreth 2.5 deri në 3 për qind të popullsisë totale evropiane.
Sipas organizatave gjuetia bëhet përmes një metode të paligjshme: gjuetarët vendosin me magnetofonë imitues zanorë në livadhe dhe fusha gjatë natës për të tërhequr tufat e thëllëzave, që migrojnë në vendet e tyre të dimërimit në Afrikë.
Zogjtë mashtrohen nga thirrjet joshëse duke u u grumbulluar në tufa dhe me lindjen e diellit gjuetarët pa leje qëllojnë kolonitë e mëdha të zogjve duke vrarë shumë prej tyre.
Biologët janë të shqetësuar se vrasja masive dhe e paligjshme e thëllëzave për gjatë asaj që njihet si “Rruga e migrimit e Adriatikut”, do të sjellë zhdukjen e thëllëzave në Europë.
Gjuetia e thëllëzave në Evropën Juglindore është e përqendruar sipas organizatave mjedisore kryesisht në dy rrugë migrimi: përgjatë bregut të Adriatikut dhe në fushat e Serbisë veriore
'EuroNatur' dhe organizatat partnere në Ballkan thonë se po bëjnë fushatë për t'i dhënë fund gjuetisë së paligjshme të thëllëzave dhe së fundi kanë publikuar një hartë të përditësuar që tregon se në cilat zona të vendeve të Ballkanit thëllëzat qëllohen duke përdorur metoda të paligjshme.
"Vrasja e paligjshme e thëllëzave në Ballkan nuk është vetëm një problem lokal, por një problem evropian", tha Dr Justine Vansynghel, menaxhere e projektit për ruajtjen e shpendëve migratorë në 'EuroNatur'.
Së bashku me organizatat e saj partnere në Ballkan, 'EuroNatur' kërkon që autoritetet e zbatimit të ligjit në vendet e Ballkanit të ndërmarrin veprime të vazhdueshme kundër vrasjes së paligjshme të shpendëve dhe që gjyqësori të vendosë dënimet e duhura për gjuetarët e paligjshëm.
Organizatat kërkojnë që komuniteti i gjuetisë të ketë zero tolerancë ndaj vrasjeve të paligjshme të thëllëzave dhe t`i raportojë rastet tek autoritetet përkatëse.