Shkup, analistët mbi ekstremizmin e dhunshëm

  • Isak Ramadani

Austria/Swift/Terror Suspect

Analistët në Maqedoninë e Veriut thonë se autoritetet shtetërore, institucionet arsimore dhe komuniteti fetar duhet të veprojnë për luftuar ekstremizmin fetar. Sipas tyre duhen identifikuar personat e prirur për dhunë apo pjesëmarrje në akte terroriste siç ishte rasti me një 19-vjeçar në Vjenë të Austrisë, prindërit e të cilit kishin origjinën nga Gostivari. Sipas analistëve, duhet bërë më tepër për riintegrimin e të kthyerve apo të burgosurve për pjesëmarrjen e tyre në luftërat e vendeve të Lindjes së Mesme.

Your browser doesn’t support HTML5

Shkup, analistët mbi ekstremizmin e dhunshëm

Shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut është angazhuar në procesin e riintegrimit të personave të rikthyer nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Por, siç vëren Samet Shabani i njërës prej orgnizatave joqeveritare, procesi nuk është treguar aq i sukseshëm. Rastin e fundit në Vjenë ai e shikon si rezultat i një krize të identitetit dhe të mospërshtatjes me ambientin në vendet e Perëndimit ku kanë lindur dhe jetojnë ata persona me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni.

Ai e quan këtë gjendje alarmante, ndërsa sugjeron që sistemi arsimor dhe bashkësitë fetare, si në vendet prëndimore ose këtu në Maqedoninë e Veriut duhet të bëjnë shumë më tepër për shmangien e atyre njerëzve nga tendencat e radikalizimit.

Puna e bashkësive fetare, narracioni që krijohet nga bashkësitë fetare ndër vite ka të bëjë shumë me këto situata të cilat ne sot kur ballafaqohemi me këto lloj konsekuencash, ku një i ri pretendon se mund ta fitojë parajsën duke ua bërë jetën ferr të tjerëve”, thotë zoti Shabani.

Analisti Selim Ibrahimi, njohës i çështjeve të sigurisë e shikon ngjarjen e fundit në Austri si një kërcënim ndaj jetesës moderne në përgjithësi. Ai vlerëson se celulat e heshtura të organizatave terroriste kanë aftësi për kryerjen e akteve terroriste:

Rritja e radikalizmit mund të bëhet nga grupe individuale dhe të vogla. Andaj duhet bërë shumë punë nga organizatat fetare të komunitetit shqiptar në shtetet e BE-së, si hapa për të ulur këtë forcë të radikalizmit që ka filluar. Ajo që duhet bërë është që në mësimet fetare feja të praktikohet dhe të përdoret si formë e individit për t’u lidhur jo me organizatat fetare ekstremiste por për qëllimin që e ka fej”, komenton zoti Ibrahimi.

Qindra shtetas të Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit i janë bashkuar Shtetit Islamik. Një pjesë e atyre që u kthyen u dënuan me burg, por politika e riintegrimit të tyre nuk u tregua mjaft e suksesshme.

Samet Shabani vëren se radikalizimi i kësaj kategorie personash zë vend edhe nëpër burgje.

Disa nga ta tashmë janë kthyer, disa e kanë përfunduar vuajtjen e burgut dhe tash një ballafaqim tjetër të cilin e përjeton shoqëria dhe institucionet publike është radikalizimi i mëtejshëm, qoftë në periudhën e burgut dhe atë pas burgut. Hapat që janë ndërmarrë për procesin e riintegrimit të këtyre rasteve janë relativisht të dobëta. Nevojitet një qasje shumë më efikase sidomos nga institucionet publike”, thotë Shabani.

Mendoj se shqiptarët kanë një zgjidhje këtë radikalizëm andaj mënyra e vetme është predikimi i fejës si mënyrë për të ecur përpara dhe jo për të dominuar dhe bërë akte terrorizmi në BE ose në vendet tjera”, thekson Ibrahimi.

Analistët mendojnë se radikalizimi apo rekrutimi i të rinjve bëhet shumë më tepër nëpërmjet rrjeteve sociale sesa nëpërmjet bashkësive fetare.

Megjithatë, me ligjin për dënimin e atyre shtetasve të përfshirë në ushtritë dhe luftërat e huaja dhe me dobësimin e Shtetit Islamik, vlerësohet se numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut në organizatat terroriste të Lindjes së Mesme është ulur dukshëm në këto vitet e fundit.