Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi për herë të parë se forcat ukrainase po luftonin në sulmin e befasishëm në Kursk të Rusisë, ndërsa përleshjet në rajonin kufitar vazhduan me autoritetet ruse që nxitonin të evakuojnë banorët e zonës.
Forcat e Moskës po përballen për të gjashtën ditë me radhë me beteja intensive kundër ndërhyrjes më të madhe të Kievit në territorin rus, që nga fillimi i luftës.
Rusia vendosi një regjim gjithëpërfshirës sigurie në tre rajone kufitare të shtunën, një shenjë që flet për seriozitetin e situatës, ndërsa Bjellorusia, një aleate e vendosur e Moskës, dërgoi më shumë trupa në kufirin e saj me Ukrainën, duke akuzuar Kievin për shkelje të hapësirës së saj ajrore.
Në video-fjalimin e tij gjatë natës presidenti Zelensky tha se kishte diskutuar operacionin me komandantin e lartë ukrainas Oleksandr Syrskyi, duke u zotuar të rivendoste drejtësinë pasi Rusia nisi agresionin në shkallë të gjerë kundër fqinjit të saj më të vogël, në shkurt të vitit 2022.
“Sot mora disa raporte nga Komandanti i Përgjithshëm Syrskyi në lidhje me vijën e frontit dhe veprimet tona për të shtyrë luftën në territorin e agresorit”, tha presidenti Zelensky. "Ukraina po dëshmon se me të vërtetë mund të rivendosë drejtësinë dhe të sigurojë trysninë e nevojshme mbi agresorin”.
Lexoni edhe këtë Putini akuzon Ukrainën për ndërhyrje brenda Rusisë, duke e quajtur "provokim në shkallë të gjerë"Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se kishte shkatërruar 14 dronë ukrainas dhe katër raketa balistike taktike Tochka-U gjatë natës mbi rajonin Kursk dhe 18 dronë mbi rajonet e tjera ruse, që sulmohen shpesh nga Ukraina.
Presidenti rus Vladimir Putin e quajti sulmin ukrainas, për të cilin analistët ushtarakë thonë se e zuri Kremlinin në befasi, si një provokim të madh.
Gjenerali rus, Valery Gerasimov, tha të mërkurën se sulmet ishin ndalur, por Rusia nuk i ka zmbrapsur forcat ukrainase përtej kufirit.
Blogerët ushtarakë rusë thanë se situata ishte stabilizuar pas dërgimit të përforcimeve nga Rusia, megjithëse, thanë ata, Ukraina po shtonte forcat e saj me shpejtësi.
Mëngjesin e së dielës zyrtarët e Kurskut thanë se 13 persona u plagosën në qytet, pasi mbetjet e një rakete të shkatërruar ukrainase ranë mbi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe.
Nuk ishte e qartë nëse kishte dëme të tjera.
Alexei Smirnov, guvernatori në detyrë i Kurskut, urdhëroi autoritetet lokale të përshpejtojnë evakuimin e civilëve nga zonat e rrezikuara. Të shtunën, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se më shumë se 76,000 njerëz ishin evakuuar.
Lexoni edhe këtë Rusia evakuon 76 mijë banorë në Kursk, operacion për të frenuar përparimin e trupave ukrainaseKievi dhe Moska mohojnë të kenë shënjestruar civilët në sulmet e tyre në luftë, e cila ka lënë pas vetes mijëra të vrarë, ka çuar në shpërnguljen e miliona ukrainasve dhe fundi i saj nuk shihet në horizont.
Blogerët ushtarakë rusë thonë se luftimet po zhvillohen deri në 20 km brenda rajonit Kursk, duke bërë që disa prej tyre të pyesin përse Ukraina ishte në gjendje të depërtonte aq lehtë në rajon.
Pasi një burrë dhe djali i tij 4-vjeçar u vranë në një sulm ajror rus në rajonin e Kievit të dielën, shefi i kabinetit të presidentit Zelensky, Andriy Yermak, u zotua për më shumë sulme në infrastrukturën ushtarake të Rusisë, duke thënë se Moska nuk njeh "argumente të tjera".
Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut Tatyana Moskalkova, tha se i kishte dërguar një thirrje Kombeve të Bashkuara duke kërkuar që organizata të dënojë veprimet e Ukrainës në Kursk.
Në një postim në rrjetin Telegram, Tatyana Moskalkova tha se po i kërkonte komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që "të marrë masa për të parandaluar shkeljet e rënda masive të të drejtave të njeriut".
Ndërkohë, Bjellorusia tha të shtunën se po dërgonte më shumë trupa në kufirin e saj me Ukrainën, duke pretenduar se dronët ukrainas kishin shkelur hapësirën e saj ajrore si pjesë e sulmit ushtarak të Kievit në rajonin Kursk të Rusisë.
Lexoni edhe këtë Bjellorusia i kërkon Ukrainës të marrë masa për të mos shkelur hapësirën e saj ajroreUdhëheqësi autoritar Alexander Lukashenko tha se forcat e mbrojtjes ajrore bjelloruse shkatërruan të premten dhjetëra dronë që fluturonin nga Ukraina mbi rajonin Mogilev, i cili kufizohet me Rusinë.
Ministri bjellorus i Mbrojtjes Viktor Khrenin, tha se Bjellorusia e konsideron shkeljen e hapësirës së saj ajrore si një provokim dhe është "gati për veprime hakmarrëse".