Hetime mbi rrëzimin e avionit në Brazil, nis identifikimi i viktimave

Ekipet e mbrojtjes civile në Brazil kanë punuar gjithë natën për të nxjerrë trupat e pasagjerëve që humbën jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni në afërsi të Sau Paulos, një ditë më parë.

Avioni i kompanisë ajrore “Voepass”, i prodhimit ATR 72, po lëvizte drejt aeroportit ndërkombëtar të Sao Paulos në Guarulhos, kur ra në qytetin Vinhedo.

Në bord gjendeshin 58 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Të 62 personat vdiqën.

Guvernatori i San Paolos, tha se deri të shtunën në mëngjes ishin nxjerrë trupat e të paktën 21 personave dhe dy prej viktimave ishin identifikuar në vendngjarje.

Të gjithë trupat janë dërguar në morgun policor.

Pozicioni i trupave të vdekur, karakteristikat fizike, dokumentet, dhe të gjitha sendet e tjera, si telefonat, janë duke u përdorur për të bërë të mundur identifikimin, tha zjarrfikësi, Maycon Cristo, në zonën e incidentit.

Po ashtu autoritetet në Brazil po kryejnë hetimet për të zbuluar shkaqet që çuan në rënien e avionit.

Pamjet e filmuara me celuarë nga dëshmitarët tregojnë avionin duke rënë vertikalisht, duke bërë disa rrotullime përpara se të përplasej pranë disa banesave.

Nuk pati lëndim të banorëve.

Sekretari për Siguri Publike në Sau Paulo Guilherme Derrite tha të premten se është gjetur kutia e zezë e avionit.

Kompania francezo-italiane që prodhon avionët ATR tha se specialistët e saj janë “të angazhuar plotësisht të mbështesin hetimet dhe klientët”.