Një avion me 62 pasagjerë në bord u rrëzua në një zonë banimi në afërsi të Sao Paulo, në Brazil, të premten.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, të gjithë udhëtarët në avion kanë humbur jetën, thanë autoritetetet vendase pranë vendit të ngjarjes.
Një video-regjistrim i postuar në rrjetet sociale tregoi pamjet e një avioni, si duket të prodhimit ‘ATR’, ndërsa humb kontrollin dhe bie në afërsi të disa shtëpive. Sasi të madhe tymi u ngritën pas rrëzimit të tij.
Zyrtarët e qytetit Valinhos, në afërsi të Vinhedos, thanë se askush nuk i ka mbijetuar rrëzimit të avionit dhe vetëm një shtëpi në një kompleks banimi ishte dëmtuar, por asnjë banor nuk ishte lënduar.
Kompania ajrore ‘VoePass’ konfirmoi në një deklaratë se një avion që fluturonte drejt aeroportit ndërkombëtar të Sao Paulos, u rrëzua në qytetin Vinhedo me 58 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit në bord.
Në deklaratë nuk thuhet se çfarë e shkaktoi aksidentin.
Ndërsa merrte pjesë në një ngjarje në Brazilin jugor, Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva i kërkoi turmës të qëndronte në këmbë dhe të mbante një minutë heshtje ndërsa ai njoftoi për aksidentin. Ai tha se dukej se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi në bord kishin vdekur, pa dhënë detaje të tjera.
Zjarrfikësit, policia ushtarake dhe autoriteti i mbrojtjes civile dërguan ekipe në vendin e aksidentit, në Vinhedo.