Zlatko Kokanoviç nuk do një minierë litiumi në oborrin e shtëpisë së tij dhe do të bëjë gjithçka që mundet për ta penguar hapjen e saj.
"Të gjithë ne këtu, jemi gati të japim jetën”, tha bujku 48-vjeçar për agjencinë e lajmeve Associated Press. "Ata mund të qëllojnë. Kjo është mënyra e vetme që mund ta hapin minierën”.
Në lojë është një luginë e harlisur bujqësore në Serbinë perëndimore, me rezervat më të pasura të litiumit në Evropë, një metal i çmuar që përdoret për të prodhuar bateri për makinat elektrike dhe është thelbësor për kalimin në energjinë e gjelbër.
Nëse duhet të ketë një minierë në luginë apo jo, është bërë një nga çështjet më të diskutueshme në kombin ballkanik, duke nxitur protesta nga mijëra veta, në një sfidë ndaj presidentit populist Aleksandar Vuçiç.
Ndërsa qeveria këmbëngul se miniera është një mundësi për zhvillim ekonomik, kritikët thonë se ajo do të shkaktonte ndotje të pariparueshme në luginën e Jadarit, së bashku me rezervat e ujit nëntokësor, tokën bujqësore dhe dy lumenj të vegjël që përshkojnë luginën.
Mijëra veta pritet të marrin pjesë në një tubim të paralajmëruar për të shtunën në Beograd, duke kërkuar një ligj për të ndaluar minierat e litiumit kudo në Serbi.
Zlatko Kokanoviç do të jetë atje me grupin "Ne Damo Jadar", ose "Nuk e japim Jadarin”.
“Ne nuk jemi të interesuar për përfitimet e tyre. Ne jemi rritur në këtë tokë dhe do të vdesim në këtë tokë”, tha Kokanoviç, i cili ka pesë fëmijë. “Kjo tokë nuk është pronë e askujt tjetër, është e fëmijëve tanë”.
Hulumtimi i rezervave të litiumit dhe të borit në luginën e Jadarit është bërë nga kompania shumëkombëshe e minierave Rio Tinto për 20 vjet. Kompania ka hartuar plane për hapjen e një miniere.
Përgjatë historisë së saj 150-vjeçare, kompania Rio Tinto është përballur me akuza për korrupsion, dëmtim mjedisi dhe shkelje të të drejtave të njeriut në vendet e gërmimeve, një histori që ka alarmuar banorët në Jadar dhe grupet për mbrojtjen e mjedisit në Serbi.
Protestat masive në vitin 2021 dhe me 2022, detyruan qeverinë e Serbisë të pezullojë përkohësisht planin për hapjen e minierës, për ta ringjallur atë në muajin korrik të këtij viti përpara se të nënshkruante një marrëveshje për partneritet strategjik në fushën e lëndëve të para me Bashkimin Evropian, në prani të kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Lexoni edhe këtë Serbia dhe Bashkimi Evropian nënshkruajnë partneritet strategjik për litiuminDubravka Gjedoviç Handanoviç, ministre serbe e Minierave dhe Energjisë, i tha agjencisë Associated Press në një intervistë se lugina e Jadarit përmban rreth 158 milion tonelata litium, ose rreth 17 për qind të rezervave të përgjithshme të kontinentit evropian.
Jadari, tha ajo, është "një nga vendet më të mira të eksploruara të litiumit në Evropë dhe ndoshta një nga më të mirët në botë" dhe mund të "ta vendosë Serbinë si vendin më të mirë jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën" kur bëhet fjalë për të luftuar ndryshimin e klimës.
Nënshkrimi i ministres Gjedoviç Handanoviç është në marrëveshjen me BE-në që parasheh një “partneritet strategjik” mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirëve të prodhimit të baterive dhe makinave elektrike. Plani është që jo vetëm të eksportohet lëndë e parë, por edhe të nxisë zhvillimin e teknologjive të reja në Serbi.
Çdo gërmim i mundshëm do të përmbushë standardet më të larta të BE-së, tha ministrja Handanoviç, duke premtuar se “nuk do të bëjmë asgjë që do të ketë ndikim negativ”.
"Në atë rast projekti nuk do të zhvillohet", tha ajo, duke u ankuar për sic tha "dezinformatat" që janë përhapur rreth projektit. Si përgjigje, qeveria ka ngritur një qendër thirrjesh dhe një ekip mjekësor për të vëzhguar çdo rrezik të mundshëm shëndetësor, tha ajo.
Ndonëse mund ta çojë Serbinë më afër BE-së dhe të ndihmojë në uljen e varësisë së bllokut nga Kina për litium, kritikët argumentojnë se rreziqet nga minierat e litiumit, i tejkalojnë përfitimet.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në BE, por ruan gjithashtu lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin. Kina zotëron minierën më të madhe të bakrit në Serbinë lindore.
Dragana Gjorgjeviç, profesore në Universitetin e Beogradit dhe eksperte e kimisë së mjedisit, është në mesin e një grupi studiuesish serbë që zbuluan në një studim se toka në luginën e Jadarit ishte dëmtuar tashmë gjatë hulumtimeve.
Jadari, tha zonja Gjorgjeviç, është një zonë bujqësore me ujëra nëntokësore dhe lumenj që shpesh vërshojnë dhe mund të bartin çdo material helmues. Miniera është "një rrezik i madh për gjithë rajonin", tha ajo.
Kompania Rio Tinto ka thënë se do ta hap minierën në përputhje me standardet e sigurisë së BE-së. Në një përgjigje të shkurtër përmes postës elektronike dërguar agjencisë së lajmeve Associated Press, dega e kompanisë në Serbi tha se "i jep përparësi dialogut publik të mbështetur në fakte" dhe citoi një projekt-studim të veçantë mjedisor që u bën thirrje të interesuarve të paraqesin komentet e tyre.
Zyrtarët thonë se miniera nuk do të hapet para vitit 2028. Presidenti serb Vuçiç i ka përshkruar protestat aktuale kundër litiumit si politike, të organizuara nga fuqi të huaja dhe të drejtuara kundër tij dhe qeverisë serbe.
Miniera do të përfshijë rreth 200 hektarë të luginës, e cila është e mbushur me fusha të mbjella me misër dhe sojë.
Vladan Jakovljeviç, i cili është rreth të 60-ave, jeton në fshatin Stupnicë, në kodrat me pamje nga lugina. Edhe ai nuk do të heqë dorë nga mënyra e tij e jetesës, kosheret e bletëve dhe një mjedis i shëndetshëm për familjen e tij.
Nëse miniera hapet, thotë ai, "nuk do të ketë jetë për ne".