Forcat ruse dhe ukrainase po luftojnë në rajonin e Kurskut të Rusisë për të tretën ditë radhazi, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Rusia thotë se bëhet fjalë për një nga sulmet më të mëdha ndërkufitare nga forcat ukrainase gjatë luftës që filloi 2 vjet e gjysmë më parë.
Por një deklaratë e Ministrisë së Mbrojtjes tha se ushtria ruse dhe rojet kufitare kanë nuk i kanë lejuar forcat ukrainase që të avancojnë më thellë në rajonin Kursk në Rusinë jugperëndimore. Sipas njoftimit, ushtria po sulmon luftëtarët ukrainas që po përpiqen të avancojnë nga rajoni Sumy i Ukrainës.
“Përpjekjet e njësive individuale për të depërtuar thellë në territorin në drejtim të Kurskut janë duke u shtypur”, tha ministria.
Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në Uashington që ka monitoruar nga afër luftën Rusi-Ukrainë, tha se deri të mërkurën, trupat ukrainase kishin depërtuar deri në 10 kilometra në territorin rus, megjithëse ky informacion nuk është konfirmuar.
Zyrtarë ukrainas nuk kanë komentuar publikisht për luftimet në rajonin Kursk.
Zëvendësguvernatori në detyrë i rajonit të Kurskit, Andrei Belostotsky, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA-Novosti, “armiku nuk ka avancuar asnjë metër. Përkundrazi, ai po tërhiqet. Pajisjet dhe forcat luftarake të armikut po shkatërrohen. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt...armiku do të ndalet”.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka shkatërruar dronë ukrainas mbi rajonet Kursk dhe Oryol.
Alexei Smirnov, guvernatori në detyrë i Kurskit, tha të enjten në aplikacionin Telegram se mbrojtja ajrore ruse gjithashtu rrëzoi disa raketa ukrainase gjatë natës.
Guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov tha në Telegram se sulmet me dronë ukrainas në dy zona dëmtuan një objekt të infrastrukturës dhe një shtëpi.
Ushtria e Ukrainës tha të enjten se ka rrëzuar dy raketa ruse dhe katër dronë.
Goditja e dronëve u bë mbi rajonet Kherson, Kirovohrad dhe Odesa, tha forca ajrore e Ukrainës.
Guvernatori i Kirovohrad-it Andriy Raykovych shkroi në Telegram se nuk raportohet për dëme nga sulmet në rajonin e tij.
Guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha se përveç rrëzimit të një droni mbi rajon, forcat ruse gjithashtu bombarduan qytetin, duke dëmtuar një ndërtese banimi dhe disa objekte të tjera.
Në Dnipropetrovsk, guvernatori Serhiy Lysak tha në Telegram se forcat ruse vunë në shënjestër zonën e Nikopolit me dronë dhe artileri, duke dëmtuar disa shtëpi.
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve ‘Reuters’ dhe ‘Associated Press’.