Pas këmbimit të të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe shteteve perëndimore, disa nga të burgosurit politikë të liruar nga Moska shkuan në Gjermani që, sipas korrespondentin të Zërit të Amerikës në Berlin, Ricardo Marquina, është një vend që historikisht ka shërbyer si strehë e rusëve që luftojnë për ndryshim në vendlindjen e tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Të burgosurit e liruar nga Rusia, në një këmbim historik me shtetet perëndimore, shkuan në Gjermani, një vend që tashmë është mësuar të strehojë ata që ikin nga represioni rus.
Zoti Vitali Vobar shkoi në Berlin në vitin 2022. Ai ishte njëri nga anëtarët e paktë të opozitës në parlamentin rajonal të Shën Petersburgut.
Pasi foli kundër pushtimit rus të Ukrainës, shërbimet ruse të zbulimit i trokitën në derë. Aty e kuptoi se kishte ardhur koha të largohej.
“Ka ende shumë njerëz në Rusi që u besojnë vlerave demokratike dhe që janë kundër luftës, përfshirë anëtarë kuvendesh në qytete si Moska, Shën Petersburgu, Tomsk dhe Novosibirsk. Por të flasësh hapur kundër luftës është e ndaluar dhe bart rrezik të madh,” thotë ai.
Kur filloi sulmi i gjerë i Rusisë ndaj Ukrainës, mijëra rusë dolën në rrugë për të protestuar, por protestat u shtypën nga policia.
Njëra nga ata mijëra njerëz që rrezikuan lirinë e tyre për të kundërshtuar luftën ishte Anja Demidova, një aktore nga Moska. Në momentin kur autoritetet urdhëruan arrestimin e saj, Anja tashmë ishte rrugës për në Gjermani.
Ajo ka pak shpresa për ndryshim në të ardhmen e afërt në Rusi.
“Në mesin e rusëve atje, ka shumë njerëz që shpresojnë që Putini nuk është i pavdekshëm, që ai do të vdesë dikur dhe kjo do të ndryshojë çdo gjë. Por më duket, të paktën më duket mua tani, që ajo që po ndodh atje (sa u përket qëndrimeve rreth superioritetit rus) ka rrënjë të thella dhe ato janë më të forta dhe më të vjetra se vetë Putini,” thotë ajo.
Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë që kur Rusia sulmoi Ukrainën, të dëbuarit rusë morën kryesisht lajme të këqija: më shumë arrestime, më shumë dënime, ndërsa udhëheqësi i opozitës Alexey Navalny, vdiq në burg. Para ambasadës ruse në Berlin qëndron një vend i improvizuar për ta përkujtuar atë.
Lajmet e këqija janë bërë pjesë e jetës për aktorin komik, të njohur si ‘Dani i huaj’, i cili u largua nga Rusia së bashku me familjen ditën që filloi lufta. Ai është më pak i famshëm në Gjermani, ku fiton një pagë modeste përmes punës si komedian. Përkundër vështirësive në Berlin, ai nuk mendon se do të kthehet në Rusi.
“Jam i gatshëm të fitoj më pak e të ndjehem i lirë dhe t’i përkushtohem humorit siç dua unë dhe jo siç më lejojnë ata. Prandaj nuk jetojmë në Gjermani duke menduar se si do të kthehemi, nuk e trajtojmë qëndrimin këtu si diçka të përkohshme,” thotë ai
Që nga epoka e carëve e deri tek periudha sovjetike, Berlini ka shërbyer si strehë e atyre që ikin nga represioni i Rusisë. Shumë të dëbuar i shohin tensionet e tanishme ndërmjet Moskës dhe Perëndimit si njëLuftë të re të Ftohtë dhe Berlinin sërish si simbol të ndarjes ndërmjet Kremlinit dhe pjesës tjetër të botës.