Agjencia e lajmeve 'Bloomberg News' kërkoi falje të hënën për publikimin e parakohshëm të artikullit javën e kaluar që zbuloi një shkëmbim të burgosurish në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Njoftimi gjithashtu tha se organizata kishte disiplinuar punonjësit e përfshirë.
Artikulli u publikua gati katër orë përpara se të hiqej embargoja për publikimin e lajmit nga Shtëpia e Bardhë.
John Micklethwait, kryeredaktori i 'Bloomberg-ut', tha në një njoftim për stafin të hënën se artikulli përbënte një shkelje të qartë të standardeve etike. 'Bloomberg-u' nuk tregoi se sa punonjës u disiplinuan dhe nuk i identifikoi ata.
Lexoni edhe këtë Këmbimi i të burgosurve SHBA-Rusi, flet pas lirimit aktivisti Viktor Kara-Murza
Ai tha se i kishte shkruar secilit prej ish të burgosurve për t'i kërkuar falje. Zoti Micklethwait gjithashtu tha se i kishte shkruar edhe redaktorit të gazetës 'Wall Street Journal', punëdhënësit të gazetarit të arrestuar dhe dënuar në Rusi, Evan Gershkovich.
"Ne e trajtojmë saktësinë e lajmit shumë seriozisht", tha ai në njoftim. “Por ne kemi gjithashtu përgjegjësi për të bërë gjënë e duhur. Në këtë rast ne nuk e bëmë.”