Policia e Kosovës njoftoi të hënën se ka kryer kontrolle në nëntë objekte të Postës së Serbisë që vepronin pa licencë në veri të Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit.
Policia tha se operacioni në veri të Kosovës është kryer me kërkesë të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucion ky që është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Kosovë.
Policia tha se janë konfiskuar materiale dhe me "vendim të autoritetit kompetent janë mbyllur nëntë posta, nën dyshimin për veprim pa liçencë dhe nuk kanë qenë të regjistruara në institucionet përkatëse të Kosovës".
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) tha se objektet postare të Serbisë vepronin në mënyrë jolegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se në të kaluarën janë bërë përpjekje që çështja e operimit të postës të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel , “por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në ‘Marrëveshjen për Telekomunikacion”. Sipas këtij autoriteti, Posta e Serbisë nuk figuron të jetë i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit te Bizneseve dhe nuk ka certifikatë Biznesi dhe numër fiskal.
Operacioni nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Serbi dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se me veprimet e fundit në veri të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit po synon të provokojë një konflikt.
“Banditët e tij në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, pushtuan hapësirat e Postës në Leposaviç, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok. Bëhet fjalë për një krizë të re të drejtuar nga Albin Kurti, i cili në këtë mënyrë dëshiron t'i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, duke ua mohuar të gjitha të drejtat elementare të njeriut dhe duke i frikësuar ata", ndërsa akuzoi Prishtinën për veprime në kundërshtim me marrëveshjen e telekomunikacionit të vitit 2015, sipas së cilës çështjet e shërbimit postar do të zgjidhen ekskluzivisht me dialog.
Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës tha se heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona.
“Edhe një herë i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë urgjentisht dhe ta ndalojë (Albin) Kurtin të përpiqet të dëbojë serbët nga vatrat e tyre, sepse është detyrë e tyre të mbrojnë të gjithë qytetarët, përfshirë serbët dhe të mos lejojnë paqëndrueshmëri rajonale”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Posta e Serbisë në Kosovë kryen shërbime postare dhe pagesa të ndryshme për serbët që financohen nga Beogradi zyrtar.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, këto pagesa janë vështirësuar duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.