Në bashkinë e Himarës u mbyll në orën 19 të së dielës procesi zgjedhor për kryetarin e ri të bashkisë ku garojnë Petraq Gjikuria, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë dhe Vangjel Tavo, nga Partia Socialiste ”.
Procesi i numërimit pritet të nisë afër mesnatës në Komisionin Zonal Zgjedhor që ndodhet në Himarë pasi dërgimi i kutive dhe materialeve zgjedhore nga qendrat e votimit në gjithë territorin e bashkisë kërkon kohë.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 37.69 % ku nga 23.074 votues gjithësejt në listë kanë marrë pjesë në votime 8678 persona.
Pjesëmarrja është më e lartë se në zgjedhjet vendore të një viti më parë ku në bashkinë e Himarës votuan 7655 zgjedhës.
Një nga problemet më të mëdha që u shfaq në votimet e së dielës në Himarë ishte se rreth gjashtë mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara.
Your browser doesn’t support HTML5
Por jo të gjithë e kanë pasur të pamundur të votojnë pasi mund të ketë mes tyre zgjedhës me pasaporta të vlefshme. Po kështu ligji lejon që personat mbi 70 vjec të votojnë me karta identiteti që u ka skaduar afati.
Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara vendore kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare në zgjedhjet e 4gushtit në Himarë zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në Himarë se “janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme.”
“Dua të them, tha zoti Celibashi që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.”
Zoti Celibashi tha se shtyrja e afatit të kartave është vendim-marje që nuk i përket KQZ-së por Ministrisë së Brendshme, e cila duhet të ishte vënë në lëvizje nga partitë politike ose zgjedhësit.
“Nuk kemi pasur komunikim me përfaqësues të qeverisë dhe ministrisë së Brendshme sepse s’do të ishte zgjidhje kjo çështje duhej zgjidhur më parë, s’kemi pse hezitojmë, lidhet me interesin e vetë votuesve, janë ata të parët që vlerësojnë kanë apo jo interes për të pasur një mjet identifikimi “, shtoi më tej kryetari i KQZ.
"KQZ ka bërë komunikim kur ka pasur kërkesë nga partitë politike, por në këto zgjedhje, sipas tij, nuk kishte komunikim zyrtar".
“E kemi pasur informal, ngelet një çështje që është jashtë asaj sferës së përgatitjes dhe vëmendjes që duhet të ketë KQZ”, tha zoti Celibashi.
Lidhur me problematikat me kartat e identitetit të skaduara ku zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë, kandidati socialist Vangjel Tavo tha “Nuk është çështja ime, mbi ligjin nuk mund të dalë njeri”.
Ndërsa kandidati i kolicionit “ Bashkë fitojmë “ Petraq Gjikuria tha se “vitin e kaluar u lanë njerëzit te votojnë me karta të skaduara ndërsa këtë vit nuk u lejuan dhe ky është problem pasi socialistëve siaps tij u jepnin karta për 24 orë ndërsa palës tjetër i thonin duhet të prisni dy javë”.
Petraq Gjikuria, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë dhe Vangjel Tavo, nga Partia Socialiste janë në garë në këto zgjedhje të pjeshme pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri nuk arriti ta merrte mandatin pasi u arrestua një ditë para votimeve dhe u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vite burgim për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Të dy kandidatet nuk kanë jetuar në Himarë. Zoti Gjikuria është një sipërmarrës me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ndërsa Vangjel Tavo është një politikan karriere që ka përfaqësuar me vite në Parlament zonë e Dropullit në Gjirokastër që banohet nga pakica greke.
Fushata e dy kandidatëve ka qenë e mbështetur tek premtimet për më shumë shërbime dhe zhvillim të territorit të bashkisë së Himarës që është një nga zonat më të lakmuara të Shqiprisë për investime në sektorin turistik.
Ndërsa zoti Tavo ka mbështetjen e Partisë Socialiste kandidati Petraq Gjikuria ka mbështetjen e PDNJ dhe organizatës së pakicës greke “Omonia”.
Bashkia e Himarës u drejtua pas zgjedhjeve vendore nga kryetari në detyrë Jorgo Goro i cili u arrestua nga Prokuroria e Posacme nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme .
Më pas bashkia e Himarës u drejtua nga dy kryetarë të komanduar nga këshilli Bashkiak , Blerina Bala e cila dha dorëheqjen dhe Arqile Bollano i cili është gjithashtu në hetim nga Prokuroria e Posacme për një cështje pronash.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë vijnë në një klimë të ftohtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare që buroi pas arrestimit dhe dënimit të ish kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.
Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t'i mundësuar atij këtë gjë, u hodhën poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.
Partia “Demokracia e re” në Greqi e përfshiu Fredi Belerin më pas në listën e Eurodeputetëve ku ai fitoi si përfaqësues i Greqisë dhe u lejua nga autoritetet shqiptare të merrte pjesë në seancën e parë të kostituimit në Parlamentin Europian.