Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të shtunën se pesë persona janë arrestuar nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se pas hetimeve disa mujore së bashku me policinë e Kosovës kanë arrestuar personat me inicialet D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., për veprën penale krime lufte, por pa bërë të ditur përkatësinë e tyre kombëtare.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë i identifikoi katër nga të arrestuarit, Dragan Cvetkoviç, Dragan Niçiç, Millosh Shoshiç dhe Slobodan Jevtiç nga fshati Pasjan në lindje të Kosovës.
Prokuroria tha se personat e arrestuar “në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, me 5 prill të vitit 1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, përdhunuar, rrahur, keqtrajtuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, kishin dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Posaçme tha se këto krime janë të dënueshme sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventës së Gjenevës.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, mohoi që të arrestuarit të jenë përfshirë në krime lufte dhe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se, siç thuhet “vazhdon të terrorizojë popullin serb në Kosovë”.
“Është e qartë se me arrestimet e reja në Pasjan, regjimi antiserb nga Prishtina dëshiron të përshkallëzojë situatën në terren dhe ta bëjë të padurueshme jetën e serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që u dha fund mizorive të forcave serbe.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga përfundimi i luftës nga sistemi gjyqësor vendës dhe ndërkombëtar janë dënuar rreth 70 persona për krime lufte, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.