Vritet udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh

Hamasi tha të mërkurën se një sulm izraelit vrau udhëheqësin e tij, Ismail Haniyeh në Teheran, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në betimin e presidentit të ri të Iranit.

Në një deklaratë të postuar në kanalin Telegram të grupit militant, thuhet se Ismail Haniyeh u vra në një rezidencë në kryeqytetin iranian.

Rojat Revolucionare të Iranit thanë se një nga truprojat e tij u vra gjithashtu, në sulmin që u krye herët në mëngjes dhe se incidenti ishte duke u hetuar.

Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm të Izraelit rreth sulmit.

Vdekja e Ismail Haniyeh ndodhi gati 10 muaj pasi Hamasi i mbështetur nga Irani, nisi një sulm në Izraelin jugor, duke vrarë 1200 veta dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me një fushatë ushtarake në Gaza që la pas vetes më shumë se 39,400 palestinezë të vrarë sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, e cila nuk bën dallime midis militantëve dhe civilëve në të dhenat e saj.

Ismail Haniyeh u bë shefi i byrosë politike të Hamasit në vitin 2017 dhe jetonte në mërgim në Katar, pasi u largua nga Gaza në vitin 2019.

I pyetur nëse mund të konfirmonte që Izraeli qëndron pas sulmit në Teheran dhe nëse Izraeli njoftoi Shtetet e Bashkuara, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, u tha gazetarëve në Filipine, "unë nuk kam asgjë për t’u thënë për këtë".

Sekretari Austin tha se situata përgjatë kufirit Izrael-Liban mbetet një shqetësim dhe se ai do të qëndrojë në kontakt me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe udhëheqësit kryesorë në rajon.

"Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'u siguruar që gjërat të mos shndërrohen në një konflikt më të gjerë në të gjithë rajonin", tha ai.

Katari, i cili së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara është vënë në përpjekje për të negociuar një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, e quajti sulmin një "përshkallëzim të rrezikshëm".

“Kjo vrasje dhe sjellja e pamatur izraelite me shënjestrimin e vazhdueshëm të civilëve në Gaza, mund të çojë rajonin në kaos dhe do të dëmtojë shanset për paqe”, tha në një deklaratë ministria e Jashtme e Katarit.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, tha në rrjetin X se vendi i tij do të mbrojë tërësinë tokësore, nderin dhe krenarinë e tij dhe do ta bëjë Izraelin "të pendohet për aktin e tij qyqar”.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e tij, e quajti vrasjen e Ismail Haniyeh "një akt qyqar dhe një përshkallëzim serioz".

Turqia dënoi atë që e quajti "vrasje e turpshme" të Ismail Haniyeh. Ministria e Jashtme turke tha në një deklaratë se “ky sulm synon gjithashtu të përhapë luftën e Gazës në një dimension rajonal”.

Rusia gjithashtu e dënoi vrasjen e Ismail Haniyeh, duke e quajtur atë një "vrasje politike të papranueshme".

* Disa pjesë të artikullit u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.