Temperaturat e larta po mbajnë aktive një sërë vatrash të zjarrit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa njoftohet për viktimën e parë si pasojë e zjarreve në rrethinën e Kumanovës.
Një zjarr i madh po i afrohet qytezës Dojrani i Vjetër në juglindje të vendit. Autoritetet kanë nisur evakuimin e popullatës atje, teksa paralajmërojnë për rrezikun nga shpërthimi i mundshëm i minave të vjetra në atë zonë.
Your browser doesn’t support HTML5
Një burrë 75 vjeç është viktima e parë e zjarrit që përfshiu disa zona në Maqedoninë e Veriut. Ai ka humbur jetën, sipas njoftimeve zyrtare, si pasojë e asfiksimit në një fshat pranë Kumanovës.
Ndërkohë, Autoritetet lokale të Dojranit të Vjetër dhe zyrtarët e Qendrës për Menaxhimin e Krizave njoftuan për një zjarr të madh që po i afrohet qytezës në juglindje të vendit dhe se zjarri është jashtë kontrollit. Zjarri ka shpërthyer në një landfill mëngjesin e së martës pranë Dojranit.
Nga drejtoria e Pyjeve Kombëtare bëjnë të ditur se flakët kanë përfshirë të paktën tre shtëpi, por nuk ka pasoja në njerëz.
Qendra për Menaxhimin e Krizave dhe shërbimet tjera përkatëse po bëjnë evakuimin e banorëve nga rrethina e Dojranit të Vjetër.
Kire Mihajlov i drejtorisë së Pyjeve Kombëtare i tha medias lokale se po kërkohet ndihma për ndërhyrjen e zjarrifikësve nga qytetet fqinje Gjevgjeli, Vallandovë dhe Bogdancë.
Mihajlov tha se në momentin kur landfilli ka marrë flakë nuk pa pasur roje dhe se ekipet e zjarrfikësve nuk kanë pasur qasje për ta shuar zjarrin.
Për shkak të erërave vatra e zjarrit ka filluar të përhapet në drejtim të Dojranit të Vjetër. Drejtoria e Pyjeve Kombëtare, ndërkohë kërkon llogari nga autoritetet lokale të Dojranit për shkak të pamundësisë së qasjes së zjarrfikësve tek landfilli që kishte marrë flakë.
Temperaturat e larta dhe erërat kanë shkaktuar një sërë varash të zjarrit në pjesë të ndryshme të Maqedonisë së Veriut dhe zjarrfikësit për më tepër se dhjetë ditë janë përballur me flakët sidomos në Malin Serta afër komunës së Shtipit, në lindje të vendit dhe zjarri ende nuk është shuar në tërësi.
Shtetet si Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Rumania i dolën në ndihmë Maqedonisë së Veriut duke dërguar helikopterë dhe avionë të posaçëm për shuarjen e zjarreve.