Autoritetet në Shqipëri evakuuan banorët nga zonat e rrezikuara prej zjarreve në Shëngjin. Ndërkohë, pas kërkesës së qeverisë shqiptare drejtuar Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, dy avionë canadair erdhën nga Italia në Shëngjin në përpjekje për të shuar vatrat e zjarreve.
Zjarret në zonën e Shëngjinit kanë dalë jashtë kontrollit gjatë orëve të fundit, duke rrezikuar shtëpi banimi, pallate, një numër biznesesh, si dhe duke mbuluar me tym edhe zonën e plazhit.
Më shumë se 20 automjete zjarrfikëse nga të paktën 7 bashki të vendit janë përqendruar në zonën e Shëngjinit në përpjekje për të vendosur nën kontroll vatrat e zjarrit, të cilat po përhapen me shpejtësi në zonën Shëngjin - Velipojë.
Gjatë paradites në mbështetje të forcave zjarrfikëse ka shkuar edhe një helikopter i ushtrisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Për shkak të stituatës të rënduar, në mesditë qeveria shqiptare i dërgoi një kërkesë për ndihmë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Në orën 18:06 kanë mbërritur në vatrat e zjarrit në Shëngjin dy avionë italianë Canadair, të dërguar pas kërkesës drejtuar Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.
Ndërkohë, autoritetet vendore dhe ato të emergjencave civile kanë nisur evakuimin e banorëve në zonat më të rrezikuara nga zjarri. Autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevoje për evakuim.
Depozitat e naftës dhe gazit pranë portit nuk janë në rrezik, sepse është siguruar perimetri përreth tyre.
Në orët e mbrëmjes në Shëngjin ka arritur edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla, i cili bëri të ditur se aktualisht në Shëngjin janë aktive 5 vatra zjarri, ku më problematike janë vatrat e zjarrit në kurorën e gjelbër të qytetit, ajo në Ranën e Hedhun dhe në Shëngjin.
Nga vlerësimet paraprake, sipas zotit Balla, nuk ka asnjë banesë të djegur dhe as hotel.
Ministri në detyrë bëri të ditur se qeveria shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me vendet e BE-së për të siguruar ndihmë nga ajri. Deri tani kanë arritur dy avionë nga Italia, ndërsa është kërkuar ndihmë nga Sllovenia dhe KFOR-i në Kosovë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 20 vatra zjarri nga Tropoja në Gjirokastër, për shuarjen e të cilave janë angazhuar 519 forca operacionale, 45 mjete zjarrfikëse dhe një helikopter i ushtrisë.