Shqipëria shpalli sot një garë ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri detar në Porto Romano, me një fond mbi 390 milionë euro, për të cilin kanë shprehur interes 15 kompani të huaja. Porti i ri tregtar pritet t’i shërbejë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, falë infrastrukturave mbështetëse në Prishtinë dhe Strugë. Me ndërtimin e portit të ri pak kilometra në veri të Durrësit, pritet që hapësira e portit historik të këtij qyteti t’i kushtohet turizmit me një port jahtesh.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Shqipëri u shpall sot gara ndërkombëtare për ndërtimin e një porti të ri tregtar në Porto Romano disa kilometra larg Durrësit, ndërsa në territorin e portit historik pritet të ndërtohet porti turistik i marinës.
Me një fond limit prej 392 milionë euro, porti i ri pritet të ndërtohet me teknologji bashkëkohore dy herë më i thellë se ai ekzistues dhe një terminal konteinerësh tre herë më të madh, për të mirëpritur me shërbime të automatizuara anije përherë e më të mëdha tregtare si dhe investues të huaj në zonën qendrore ekonomike dhe industriale të vendit.
Në ceremoninë e sotme u njoftua se kanë shprehur interes për të marrë pjesë në këtë garë 15 kompani ndërkombëtare, të paktën 5 nga të cilat janë kompani ndër më të njohurat në Europë.
Kompania projektuese Royal Haskoning DHV pritet të marrë pjesë në vlerësimin e ofertave teknike e financiare të kompanive garuese, bisedimet mbi kontratat si dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme.
“Ky port i jep Shqipërisë një fuqi të re në rajon, ky port e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e gjithë rajonit”, tha kryeministri Edi Rama.
Projekti parashikon si fazë të parë ndërtimin e një terminali konteinerësh, një mur dallgëthyes 1 mijë e 250 metra të gjatë, mure mbrojtës detarë mbi 1 mijë metra gjatësi, një kanal hyrës 200 metra të gjerë dhe mbi 16 metra të thellë, si dhe një seri shërbimesh për anijet e mallrave.
Porti i ri pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në ekonominë dhe e Shqipërisë dhe rajonit. Ai është pjesë e projekteve të qeverisë për të bërë dy qytetet më të mëdha bregdetare Durrësin dhe Vlorën me nga dy porte secili për tregti dhe për turizëm.
“E kemi quajtur porti i shqiptarëve, pasi ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë edhe Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur përmes hekurudhës me dy porte të thata, përkatësisht në Prishtinë dhe në Strugë”, tha zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Infrastrkturën dhe Energjinë, Belinda Balluku.
Projekti i portit të ri në Porto Romano u publikua më shumë se një vit e gjysmë më parë, më 12 dhjetor 2022. Autoritetet pohuan atëherë se gara ndërkombëtare për ndërtuesit do të hapej në janar dhe do të mbyllej në korrik 2023, dhe se punimet mund të nisnin brenda vitit 2023.
Por gara ndërkombëtare u shpall sot zyrtarisht, në tubim dhe në portal online, ndërsa organizatorët pohuan se pas dy faza përzgjedhje të konkurrentëve, kontrata me fituesin mund të nënshkruhet marsin ose prillin e vitit të ardhshëm.
Porti historik do të vazhdojë punën, deri në ndërtimin e portit të ri, ku do të zhvendosen funksionet tregtare, ndërsa marina e re turistike do të ndërtohet në zonën e vjetër në një fazë të dytë.