Maduro pretendon fitoren në zgjedhje; SHBA, vende të tjera pikëpyetje për legjitimitetin

  • VOA

Mbështetësit e opozitës filluan protestat në rrugët e kryeqytetit Karakas (29 korrik 2024)

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro fitoi zgjedhjet për një mandat të ri, tha autoriteti zgjedhor i vendit më herët të hënën, por Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Amerikës Latine vunë në pikëpyetje legjitimitetin e rezultatit pas një votimi në të cilin opozita shprehu besimin se kishte fituar. Ndërkohë filluan protestat në kryeqytet dhe në disa qytete të vendit.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor i publikoi rezultatet gjashtë orë pas mbylljes së votimit, duke thënë se zoti Maduro kishte marrë 51% të votave krahasuar me 44% për kandidatin e opozitës Edmundo González.

Rezultati nuk përfshin numërimin e votave nga qendrat individuale të votimit, të cilat vëzhguesit e zgjedhjeve thanë se ishin jetike për përcaktimin e saktësisë së numërimit të votave. Rezultati erdhi gjithashtu pasi anketimet tregonin se zoti González fitonte me një diferencë të madhe.

Pasi këshilli zgjedhor i kontrolluar nga zoti Maduro shpalli rezultatin, banorët përreth Karakasit pothuajse menjëherë dhe në orët në vazhdim filluan të godasin tenxheret për të protestuar kundër rezultatit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha: "Ne kemi shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian".

Nëntë vende të Amerikës Latine kërkuan një auditim të të dhënave të numërimit, me disa udhëheqës që thanë se nuk do ta njihnin rezultatin zgjedhor derisa të vërtetohej si i saktë.

Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva i Brazilit, një udhëheqës i hershëm pjesë e lëvizjes së majtë të rajonit, nuk e përgëzoi zotin Maduro për pretendimin e fitores.

“Qeveria braziliane mirëpret natyrën paqësore të zgjedhjeve të djeshme në Venezuelë dhe po ndjek nga afër procesin e numërimit”, tha zoti Lula në një deklaratë. “Në këtë kuadër, ajo pret publikimin nga Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve të të dhënave të ndara sipas qendrave të votimit, një hap i domosdoshëm për transparencën, besueshmërinë dhe legjitimitetin e rezultatit zgjedhor”.

Zoti Maduro duke kërcyer në Karakas (29 korrik 2024)

Zoti Maduro u tha mbështetësve nga një skenë, ku ai gjithashtu kërceu nën tingujt e muzikës reggaeton, “Çfarë dite të bukur kemi jetuar. Faleminderit që më dhatë këtë fitore që populli e meriton. Ky është triumfi i idealeve të barazisë”.

Zoti Maduro pretendoi se opozita po përdorte një taktikë të vjetër: duke pretenduar manipulimin e zgjedhjet që kishte humbur.

"E kam parë këtë film disa herë", tha zoti Maduro.

Ai mori mbështetje nga udhëheqësit e majtë në Kubë, Nikaragua, Rusi, Bolivi dhe Honduras, të cilët përshëndetën fitoren e tij.

Ndërsa votimi i afrohej fundit të dielën pasdite, një anketim i kryer nga “Edison Research” tregoi se zoti González kishte fituar me një diferencë të madhe, duke marrë mbi dyfishin e votave nga zoti Maduro. Opozita kishte gjithashtu qasje në një sistem numërimi të shpejtë, nëpërmjet tabulateve nga mostrat e mbledhura nga qendrat e votimit dhe që konsiderohej si shumë i saktë. Ky sistem i dha zotit González rreth 8.5 milionë vota, 4.5 milionë më shumë se zoti Maduro.

Para zgjedhjeve, regjimi i zotit Maduro arrestoi dhjetëra punonjës të fushatës elektorale të opozitës. Qeveria, për të frenuar pjesëmarrjen e votuesve, lejoi vetëm 69,000 nga afro 5 milionë venezuelianë në moshë votimi që ishin shpërngulur jashtë vendit, të hidhnin votën e tyre.

Maria Corina Machado, flet në Karakas përkrah kandidatit për president Edmundo Gonzalez (29 korrik 2024)

Udhëheqësja e opozitës Maria Corina Machado hodhi poshtë rezultatin e autoritetit zgjedhor, duke thënë se në të vërtetë zoti González kishte fituar 70% të votave.

Zoti Maduro, duke folur gjatë një tubimi të mbështetësve herët të hënën, premtoi "paqe dhe siguri". Ai hodhi poshtë kritikat nga jashtë duke e paraqitur autoritetin zgjedhor të Venezuelës, i cili kontrollohet nga besnikët e zotit Maduro, si më legjitim se sistemet në vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i Kilit, Gabriel Boric i quajti rezultatet e zgjedhjeve "të vështira për t'u besuar".

Zoti Boric tha në rrjetin X se populli venezuelian dhe komuniteti ndërkombëtar kërkojnë transparencë të plotë të votave dhe procesit të numërimit dhe që vëzhguesit e pavarur ndërkombëtarë të verifikojnë rezultatet.

Ministrat e Jashtëm të Argjentinës, Kosta Rikës, Ekuadorit, Guatemalës, Panamasë, Paraguajit, Perusë, Republikës Domenikane dhe Uruguait bënë një thirrje të ngjashme në një deklaratë të përbashkët, duke thënë se një numërim transparent është mënyra e vetme për të siguruar që rezultatet të respektojnë vullnetin e votuesve në Venezuelë.

Në Evropë, Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares Bueno, bëri thirrje për publikimin e të dhënave nga të gjitha qendrat e votimit dhe që njerëzit të ruajnë qetësinë dhe ndjenjën e civilizimit.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se qasja në të dhënat e votimit nga qendrat e votimit është "jetike" dhe se vullneti i votuesve venezuelianë "duhet të respektohet".

Zoti Maduro mori mbështetje nga disa aleatë pas shpalljes së fitores së tij, përfshirë Presidentin kuban Miguel Diaz-Canel, i cili tha se foli me zotin Maduro dhe e uroi atë për një "triumf historik elektoral".

Presidenti i Hondurasit Xiomara Castro përgëzoi Maduro-n dhe popullin venezuelian "për triumfin e tyre të pakundërshtueshëm, i cili rikonfirmon sovranitetin e tyre".

Presidenti bolivian Luis Arce tha se qeveria e tij përshëndeti "faktin që vullneti i popullit venezuelian në kutitë e votimit është respektuar".

Zoti Maduro është në mandatin e tij të dytë si president dhe votimi i së dielës përfaqësoi sfidën e tij më të vështirë elektorale.

Zoti González është një diplomat në pension, i cili u fut në garën elektorale në prill pasi Gjykata e Lartë e Venezuelës i ndaloi kandidimin udhëheqëses së opozitës Machado.

Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

Lexoni edhe këtë Zgjedhjet në Venezuelë, qeveria dhe opozita pretendojnë fitore