11 emigrantë të paligjshëm nga vendet arabe ishin marrë peng dhe mbaheshin në kushte robërie në territorin malazez. Ata u liruan, pas një pune operacionale të policisë së Malit të Zi, në bashkëpunim me policinë shqiptare.
Kështu ka bërë të ditur në konferencën për shtypin të premten, ushtruesi i detyrës së ndihmës drejtorit të sektorit për luftën kundër krimit në Malin e Zi, Lazar Shqepanoviç.
“Në bazë të të dhënave të zbulimit dhe në bashkëpunim me kolegë nga Shqipëria, një grup kriminel emigrantësh kanë ushtruar dhunë ndaj një grupi tjetër emigrantësh, u kanë zhvatur para dhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda fizike”, tha zoti Shqepanoviç.
Janë liruar 11 emigrantë, shtatë prej tyre nga Egjipti dhe katër nga Siria, si dhe janë arrestuar tre shtetas pakistanezë.
“Të dyshuarit kanë ikur nga policia, por pas kontrollit janë arrestuar. Sipas urdhrit të prokurorisë, ata akuzohen për veprën penale të pengmarrjes dhe mund të dënohen me burgim deri në 15 vjet “, tha zoti Shqepanoviç.
Policia shqiptare ka luajtur një rol kryesor për finalizimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “Kidnapping”. Informacionet e siguruara nga Policia e Shtetit shqiptar dhe të shkëmbyera nëpërmjet Europol-it, me policinë malazeze, mundësuan gjetjen dhe lirimin e 11 emigrantëve arabë, të cilët ishin marrë peng.
“Operacioni është tregues i qartë i bashkëpunimit të suksesshëm të Policisë shqiptare të Shtetit me homologët e Malit të Zi. Policia shqiptare e Shtetit mbetet e angazhuar për të kontribuar me të gjitha kapacitetet e saj, për finalizimin e operacioneve me rëndësi ndërkombëtare”, u tha në konferencën e shtypit.
Zyrtarët e policisë bëjnë të ditur se një numër i madh emigrantësh është regjistruar që nga fillimi i krizës së emigrantëve dhe se shifrat arritën kulmin në vitin 2022, kur 8,550 emigrantë banonin në Mal të Zi.
“Mënyra e mbërritjes së emigrantëve është e tillë që ata fillimisht kërkojnë strehim në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në Bozhaj- Hani i Hotit dhe më pas aplikojnë për azil, kur marrin një dokument me të cilin mund të lëvizin lirshëm në Malin e Zi”, thanë zyrtarët policorë.